Google ADS

Trieste, mblidhet Shoqëria Civile e Ballkanit Perëndimor

08:10 | 11 Korrik 2017
arbresh.info

Forumi i Shoqërisë Civile, fillon sot në Trieste, si pjesë integrale e Procesit të Berlinit, dhe do të sjellë së bashku më shumë se 200 përfaqësues të shoqërisë civile dhe shtetërore nga Ballkani Perëndimor dhe Bashkimi Evropian në Trieste më 11-12 korrik, për të përpunuar alternativat e politikave dhe për të rekomanduar veprime në përgjigje të sfidave kryesore me të cilat ballafaqohet sot rajoni, shkruan arbresh.info.

Hedvig Morvai, Drejtoreshë Ekzekutive e Fondit Evropian për Ballkanin, e cila koordinon Forumin e Shoqërisë Civile, theksoi se Forumi është një mundësi unike për shoqërinë civile që të ndikojë në vendimet politike që do të miratohen në Samitin Ndërqeveritar të Ballkanit Perëndimor dhe vendet e BE-së.

“Organizatat e shoqërisë civile do të paraqesin rekomandime politike lidhur me temat prioritare të Samitit – bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, bashkëpunimi i të rinjve, përmirësimi i klimës së biznesit për ndërmarrjet inovative, mjedisi dhe ndryshimet klimatike dhe komunikimi më efikas i procesit të Berlinit.”

Ajo tha se debatet mbi rrëzimin e demokracisë në Ballkan, migracionin dhe liritë mediatike, si dhe rëndësinë e Brexit në perspektivën evropiane të rajonit, do të iniciohen gjithashtu në seri dy-ditore të paneleve dhe punëtorive, shkruan arbresh.info.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile do të takohen gjithashtu me ministrin e Punëve të Jashtme të Italisë, Angelino Alfano, Komisionerin Evropian për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, si dhe ministrat e Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi, Ditmir Bushati, Nikola Dimitrov dhe Srdjan Darmanoviq për të diskutuar rekomandimet e Politikave të Forumit të Shoqërisë Civile në temat prioritare të Samitit Ndërqeveritar: bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet dypalëshe, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit, bashkëpunimi i rinisë, përmirësimi i klimës së biznesit për ndërmarrjet inovative, mjedisi dhe ndryshimet klimatike, dhe komunikime më efikase të procesit të Berlinit.

Në Forumin e Shoqërisë Civile do të marrin pjesë, ndër të tjerë, kryeministrat e Maqedonisë dhe Shqipërisë, Zoran Zaev dhe Edi Rama, Ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Daçiq, Goran Svilanoviq, Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Bashkëpunimit Rajonal.

Pjesëmarrësit e Forumit të Shoqërisë Civile të këtij viti do të debatojnë për çështje të tilla si demokracia në Ballkanin Perëndimor, industritë krijuese dhe turizmi rinor, mjedisi, energjia dhe ndryshimet klimatike, roli i shoqërisë civile në komunikimin e Procesit të Berlinit, migrimeve, Brexit, mediave dhe gazetarisë .

Qëllimi i takimit të Forumit të Shoqërisë Civile në Trieste është të mbështesë bashkëpunimin rajonal dhe “evropianizimin” e Ballkanit përmes pjesëmarrjes më aktive të shoqërisë civile në procesin e vendimmarrjes.

Forumi i Shoqërisë Civile i Samitit të Ballkanit Perëndimor u lançua në Vienë 2015. Ai organizohet përmes takimeve periodike rajonale dhe vjetore, si dhe përmes procesit të avokimit. Fondi Europian për Ballkan është përgjegjës për hartimin dhe koordinimin e takimeve vjetore dhe rajonale të Forumit të Shoqërisë Civile. Forumi i Shoqërisë Civile Trieste është një iniciativë e përbashkët e Fondit Evropian për Ballkanin, ERSTE Stiftung dhe Friedrich Ebert Stiftung, organizuar në partneritet me Heinrich Boell Stiftung në bashkëpunim me Iniciativën Qendrore Evropiane, Centro Studi di Politica Internazionale, Istituto Affari Internazionale me mbështetjen e Intesa Sanpaolo dhe Generali./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme