Certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit, ka hapur mundësinë që brenda një muaji, të konstituohet përbërja e re e Kuvendit të Kosovës.
Me konstituimin e Kuvendit, bëhet verifikimi i mandateve dhe zgjidhet kryetari i ri i këtij institucioni, i cili do të propozohet nga koalicioni PAN (Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma). Po ashtu, do të zgjidhen edhe pesë nënkryetarët e Kuvendit, të cilët do të përbëjnë Kryesinë e re të këtij institucioni.
Nga momenti i konstituimit të Kuvendit, bazuar në rezultatin e zgjedhjeve, kandidati i koalicionit PAN për kryeministër, Ramush Haradinaj duhet që brenda 15 ditëve të bëjë propozimin e tij për formimin e Qeverisë së re të Kosovës.
Ai pritet që mandatin për kryeministër ta marrë nga Presidenti i Kosovës.
Deri më tani, Haradinaj kryesisht ka deklaruar se i ka numrat e nevojshëm për formimin e Qeverisë, por ai nuk ka prezantuar se me cilat subjekte i ka siguruar këta numra. Ulëset që koalicioni PAN i ka siguruar në Kuvend, gjithsej 39, nuk janë të mjaftueshme për formimin e Qeverisë.
Ndonëse Haradinaj ka përmendur si mundësi lidhjen e koalicionit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën, këto tri të fundit, të mbledhura në koalicionin parazgjedhor LAA, nuk e kanë konfirmuar këtë aleancë pas zgjedhore.
Pjesë e Qeverisë, sipas Kushtetutës, do të jenë edhe komunitetet pakicë, të cilat si tërësi përbëjnë 20 deputetë në Kuvendin e Kosovës.
Për formimin e Qeverisë, janë të domosdoshme të paktën 61 vota të deputetëve.
Në analiza të ndryshme rreth rezultateve të zgjedhjeve të 11 qershorit, është vënë edhe dilema: Çka nëse Haradinaj dhe PAN dështojnë ta bëjnë Qeverinë e re?
– Si konkluzion, zakonisht është dhënë opsioni rezervë, ai i dhënies së mandatit kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, për ta formuar Qeverinë.
Por, bazuar në deklaratat e deritashme të presidentit të Kosovës, duket se për mandatin eventual të Kurtit, do të kërkohet edhe një mendim tjetër i Gjykatës Kushtetuese, pavarësisht interpretimit të dhënë më 2014, rreth të drejtës për formimin e Qeverisë.
Andaj, negociatat që do të zhvillohen ditëve dhe javëve në vijim, mund të sjellin formula nga më të ndryshme për formimin e Qeverisë, qoftë me Haradinajn në krye apo Kurtin, apo edhe pa asnjërin prej tyre, duke nxjerrë figura konsensuale.
Sidoqoftë, përderisa Haradinaj dhe Kurti pritet që ditëve në vijim t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre për koalicione të reja, për të arritur krijimin e shumicës parlamentare në Kuvend, si kusht i domosdoshëm për formimin e Qeverisë, edhe faktori ndërkombëtar nuk pritet të jetë krejt anash këtyre zhvillimeve.
Nga Brukseli, komisionari për Zgjerim, Johannes Hahn, ka dërguar tashmë mesazhin që Kosova të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe të qëndrueshme.
Brukseli do të insistojë që Qeveria e re të jetë e aftë të vazhdoj procesin e dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, të përmbyllë demarkacionin e kufirit me Malin e Zi si dhe të vazhdojë agjendën integruese evropiane.
Po ashtu, edhe nga Ambasada Amerikane në Prishtinë janë dërguar mesazhe për themelimin e institucioneve të qëndrueshme e demokratike.
Ndërsa, politika në Kosovë nuk e përjashton as si mundësi as “aventurën” e shkuarjes nga zgjedhjet në zgjedhje, që do të vinte si pasojë e dështimit të formimit të Qeverisë, për faktorin ndërkombëtar, BE-në dhe SHBA-në, zgjedhjet e reja do të shiheshin si opsioni më i padëshiruar.
Kosova, sipas vlerësimeve ndërkombëtare, edhe ashtu ka ngecur shumë në proceset integruese, ka mbetur vendi i vetëm i izoluar dhe pa liberalizim të vizave, ndërkaq ngecë shumë edhe në aspektin e sundimit të rendit dhe ligjit.
Zhduket një grua në Podujevë
Rrahen mes vete shtatë persona në Lipjan, dy përfundojnë në ...
Kina dislokon forca ajrore e detare, pasi SHBA-ja dërgoi një...
U kapën duke kontrabanduar municion nga Serbia,
Mbi 1 mijë e 898 tiketa trafiku të shqiptuara brenda 24 orëv...
Osmani në Kolumbi, ndan thirrje për eliminimin e dhunës ndaj...