Google ADS

Ferizaj shpërblen shkollat, mësimdhënësit dhe nxënësit më të mirë

17:02 | 19 Qershor 2015
M. A.

Komuna e Ferizajt edhe këtë vit ka shpërblyer shkollat më të mira të komunës, arsimtarët më të dalluar dhe nxënësit shembullor.

Epiteti i shkollës shembullore i ka takuar Shkollës Fillore të Mesme të Ulët, “Jeronim de Rada”, ndërsa mësimdhënës shembullor janë shpallur arsimtarët e gjuhës angleze në SHFMU “Ismail Qemajli” në Prelez të Jerlive, Luljeta Hajdini dhe Nexhat Vranovci. Komisioni i DKA-së i ka ndarë shpërblimin e nxënësit shembullor, fituesit të kuizit të diturisë në nivel vendi “Eureka”, Endrit Balaj, nxënës në SHMU “Visar Dodani” në fshatin Varosh.

Drejtoresha e shkollës “Jeronim de Rada”, Servete Hajrullahu, ka thënë se ky sukses lidhet me një angazhim,me një punë dhe me një sukses të të gjithëve pa përjashtim.

“Të jesh pjesë e shkollës ‘Jeronim de Rada’ është fat i madh qoftë në cilësinë e prindërit, të fëmijës apo të menaxhimit. Kjo tregon se në shkollën tonë gjithmonë ka qenë moto puna që po kurorëzohet edhe me këtë sukses. Vendi i parë na obligon që të angazhohemi edhe më tepër, obligim i yni është ta fuqizojmë edhe më shumë punën përmes së cilës do t’i realizojmë synimet tona”, ka theksuar drejtoresha Servete Hajrullahu.

Nxënësi fitues, Endrit Balaj, ka thënë se ky çmim e motivon edhe më shumë për një punë më të madhe,ndërsa çmimin e ka vlerësuar si privilegj ngase sipas tij të jesh më i miri në mesin e më të mirëve do të thotë shumë.

Në anën tjetër edhe mësimdhënësit e shpërblyer kanë thënë se ky është arritur falë një pune të përbashkët me nxënësit dhe kolegët.

“Është një ndjenjë e kënaqësisë, është një sukses që arritur bashkërisht falë bashkëpunimit me nxënësit, kolegët e punës dhe me drejtuesit e shkollës” ka thënë Luljeta Hajdini fituese e çmimit mësimdhënësi shembullor.

Se ky çmim është motivim për një punë edhe më të madhe dhe suksese të reja në procesin edukativo-arsimor e ka thënë edhe fituesi tjetër Nexhat Vranovci, ndërsa kryetari i Ferizajt, Muharrem Svarqa, i ka uruar nxënësit dhe arsimtarët fitues për kultivimin e frymës garuese në lëndë të ndryshme si në shkencë, arte, kulturë dhe sport.

“Jam shumë i nderuar që duke ushqyer veçoritë e veçanta të talenteve si dhunti tuajën , mësimdhënësit e juaj kanë kontribuar që ato dhunti të kultivohen dhe të jenë në funksion të frymës garuese dhe të nderimit me rezultate të jashtëzakonshme të cilat as optimistet më të mëdhenj nuk i kanë pritur në komunën e Ferizajt”, ka thënë Svarqa.

U bë e ditur se fituesit do të marrin nga 500 euro, ndërsa të gjithë nxënësit tjerë të shpërblyer me mirënjohje kanë marrë edhe nga një libër si dhuratë nga veprimtari i njohur ferizajas Ahmet Hyseni-Petrova.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme