Pse dhe si mund të rrezikojnë shëndetin temperaturat e larta?

21:50 | 8 Korrik 2017
Arbresh.info

Efektet anësore të të nxehtit mbi shëndetin shfaqen atëherë kur sistemi i brendshëm i rregullimit të temperaturës nuk arrin të eliminojë sasinë e tepërt të nxehtësisë me qëllim ruajtjen e vlerave normale të temperaturës trupore.

Deficitet e kompensimit fillimisht manifestohen me shenja dhe simptoma lehtësisht të korrigjueshme me ndërprerjen e ekspozimit ndaj nxehtësisë. Por, nëse ekspozimi vazhdon, shenjat dhe simptomat e dekompensimit bëhen më serioze dhe njihen si stresi nga nxehti dhe goditja nga i nxehti. Rritjet ekstreme të temperaturave mund të rëndojnë gjendjen e personave me patologji kronike. Rruga kryesore e eliminimit të nxehtësisë është nëpërmjet djersitjes, por në situatë fizike dhe ambientale ekstreme, ky mekanizëm është i pamjaftueshëm. Nëse dhe shkalla e lagështisë së ambientit është e lartë, djersa avullon ngadalë dhe temperatura trupore mund të arrijë vlera mbi 40°C, duke dëmtuar organet vitale të organizmit.

Cilët janë faktorët që përkeqësojnë gjendjen shëndetësore dhe kush janë më të rrezikuarit?

Faktorët janë të shumtë, duke nisur që nga mosha, te fëmijët e vegjël dhe te të moshuarit është i reduktuar; sëmundjet pre–ekzistuese; përdorimi i disa medikamenteve; konsumimi i drogës dhe alkoolit. Më të rrezikuar nga valët e të nxehtit janë: të moshuarit, në veçanti ata që vuajnë nga sëmundjet kardiovaskulare, hipertensioni, sëmundjet kronike respiratore, sëmundjet e veshkave dhe sëmundjet neurologjike, personat me aftësi të kufizuar, sepse janë të varur nga dikush tjetër për rregullimin e temperaturës dhe ambientit ku jetojnë, fëmijët nga mosha 0-4 vjet dhe gratë shtatzëna, personat që punojnë në ambiente të hapura.

Cilat janë shenjat, si ta kuptojmë që po vuajmë nga i nxehti?

Dobësi e përgjithshme që shoqërohet me dhimbje koke, të vjella, nauze, marrje mendsh që mund të shkojë deri në gjendje ankthi apo edhe humbje të vetëdijes, etje e shtuar, temperatura trupore të larta, ngërçe (krampe) muskulore –të shkaktuara nga dehidratimi, irritim i lëkurës dhe edema (sidomos të këmbëve). Në momentin kur lëngjet trupore bien në një pikë kritike aftësia e trupit për të djersirë ndërpritet, lëkura bëhet e zbehtë e thatë dhe e nxehtë, rënie e tensionit arterial, rritje e pulsit (takikardi), si dhe ndjenja e të fikëtit. Por nëse ekspozimi ndaj të nxehtit vazhdon sjell çrregullime të koshiencës që variojnë nga konfuzioni deri në humbje të plotë të koshiencës; konvulsione; rritje e frekuencës kardiake si dhe dëmtime të rënda cerebrale, dekompensim akut kardiak dhe vdekje.

Çfarë duhet bërë, si mund të jepet ndihma e parë?

Në të gjitha rastet kur vihen re simptomat e një goditjeje nga temperaturat e larta duhet njoftuar menjëherë Shërbimi i Urgjencës Mjekësore në numrin 127. Në pritje të ambulancës vendoseni personin në një vend të freskët dhe me ajrim (të ventiluar), me këmbë të ngritura mbi nivelin e trupit. Tërhiqeni personin në një ambient të freskët dhe të ajrosur. Përdorni një ventilator për të ulur temperaturën. I vendosni kompresa të ftohta, mbulojeni me çarçaf apo peshqirë të lagur në ujë në temperaturë ambienti, dhe nëse nuk kontrollohet rritja e temperaturës përdoret akull, por jo direkt mbi lëkurë. Bëni hidratimin e pacientit duke i dhënë ujë dhe lëngje për të pirë (nëse është koshient). Vendosni pako me akull në nivel aksilar, qafë, ije etj. Nëse është jokoshient (në gjendje të pavetëdijshme), vendoseni në pozicion anësor. Kjo parandalon aspirimin e të vjellave dhe hap rrugët e frymëmarrjes.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme