Google ADS

Mbyllet takimi i G20-ës në Hamburg

20:41 | 8 Korrik 2017
Trina Galanxhi

Takimi i 20 vendeve më të zhvilluara të botës u mbyll të shtunën në një atmosferë protestash të dhunshme dhe me Presidentin Donald Trump në qendër të vëmendjes.

Mes arritjeve të zotit Trump, ishin një takim i ngrohtë me presidentin rus, Vladimir Putin, një marrëveshje për armëpushim të pjesshëm për Sirinë dhe një premtim për përshpejtimin e marrëveshjes tregëtare me Britaninë.

Por komunikata përfundimtare e takimit nxorri në pah qëndrimet e ndryshme me disa udhëheqës të 20-es për ndryshimin e klimës dhe një reagim ndaj perceptimit të tyre për politikën “Amerika e para” të presidentit Trump, që shihet gjerësisht si izolacioniste. Në deklaratën e tyre, udhëheqësit ranë dakord të “luftonin proteksionizmin”.

Në ditën e fundit të takimit, President Trump u takua me udhëheqësit e Britanisë, Indonezisë, Singaporit, Japonisë dhe Kinës.

Në një sesion për gratë sipërmarrëse, presidenti bëri një gjest pajtues ndaj organizatore së takimit të nivelit të lartë, kancelares gjermane Angela Merkel, ndoshta kritikja më e zëshme në takim ndaj politikave të Preisdentit Trump për tregëtinë dhe klimën.

Presidenti Trump e vlerësoi kancelaren Merkel për organizimin e takimit, megjithë protestat e vazhdueshme dhe u përshkallëzuan në Hamburg dhe përfshinë djegien e makinave dhe plaçkitjen e bisneseve.

Takimi i fundit i ditës i zotit Trump ishte me Presidentin kinez Xi Jinping, me të cilin ai pritej të trajtonte çështjen e vështirë të Koresë së Veriut. Zoti Trump ka kritikuar udhëheqjen kineze duke thënë se nuk e ka përdorur ndikimin tek Koreja e Veriut për ta bindur të heqë dorë nga provat me raketa.

Presidenti dhe delegacioni që e shoqëronte, u larguan nga Hamburgu menjëherë pas takimit me presidentin Xi.

Takimi Trump-Putin

Ishte pjesa që pritej më me padurim ndër aktivitetet e samitit të G20-tës. Presidenti i Shteteve të Bashkuara Donald Trump u ul për herë të parë përkrah udhëheqësit të Rusisë, në kuadrin e samitit dyditor. Fryma e takimit ishte miqësore, dhe siç u shpreh Presidenti Trump, SHBA-ja pret “gjëra pozitive në marrëdhënien ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara”. Zoti Putin tha se ishte “kënaqësi” që takoheshin personalisht dhe Presidenti Trump u përgjigj se ndjehej “i nderuar” që u takuan.

Takimin zgjati më shumë se dy orë, shumë më tepër nga ç’ishte parashikuar, saqë Presidentit Trump iu desh të shtynte për të shtunën një takim të planifikuar me kryeministren britanike Theresa May.

Megjithë tonin miqësor të takimit, Sekretari i Shtetit Rex Tillerson tha se udhëheqësi amerikan e kishte pyetur vazhdimisht zotin Putin lidhur me akuzat se Rusia kishte n ndërhyrë në zgjedhjet amerikane të vitit të kaluar.

Rusët kanë mohuar çdo lloj ndërhyrjeje në procesin e zgjedhjeve.

“Presidenti Trump tha se kishte dëgjuar pohime të prera nga Presidenti Putin se nuk ishte e vërtetë dhe se autoritetet ruse nuk kishin ndërhyrë në zgjedhje dhe zoti Trump tha se i pranon këto pohime (të zotit Putin). Kaq”, tha Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov.

Në fund të takimit të nivelit të lartë, zoti Putin u tha gazetarëve se duhet të pyesnin zotin Trump nëse ai i pranonte apo jo pohimet e tij.

Zyrtarët amerikanë nuk e kanë konfirmuar përshkrimin e zotit Lavrov për përgjgjen e Presidentit Trump ndaj komenteve të zotit Putin./VOA

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme