Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës, Muhamet Mustafa, përmes një shkrimi në Facebook, ka treguar arsyen pse ka bërë ankesë në Gjykatën Supreme. Ai ka thënë se arsyeja nuk ka qenë për të fituar ose jo postin e deputetit, pasi ai ka dhënë dorëheqje menjëherë pas votimeve.
Sipas tij, edhe pse programi kompjuterik dhe modeli statistikor i numërimit të votave ishte shumë i thjeshtë, përsëri në këto zgjedhje pati shumë lëshime dhe shkelje të rregullave.
Mustafa thotë se KQZ dhe institucionet tjera përgjegjëse duhet ta mendojnë më thellë këtë çështje dhe jo ta trajtojnë me rutinën dhe konformitetin e zakonshëm.
“PZAP dhe Gjykata supreme arsyetuan vendimet e tyre se kërkesa jonë nuk ishte e argumentuar, se na mungojnë dëshmitë”, ka shkruar Mustafa, duke shtuar se ata kanë harruar deklaratën publike të një komisionari e edhe vetë deklaratat publike të përfaqësuesve të KQZ) , dhe se nuk është paraparë me rregullat, procedurat dhe ligjin.
Shkrimi i plotë i Mustafës në Facebook:
PERSERI PER “RISHPERNDARJEN” E VOTAVE MIDIS KANDIDATEVE ose MOS TE NDJEKIM SHEMBULLINN E STRUCIT
(Post festum , numërimit dhe rinumërimit të votave të kandidatëve për deputetë në Kuvendin e Kosovës).
Kësaj here ky shkrim vie pas qëndrimit të PZAP dhe Gjykatës Supreme lidhur me një ankesë që bëmë unë dhe tre kolegë të tjerë kandidatë për deputetë (Fadil Aliu,Besnik Krasniqi, Nuredin Ibishi). Të sqaroj menjëherë se ankesa ime e besoj se edhe e kolegëve të mi nuk kishte të bëjë me fitimin ose mos fitimin e postit të deputetit. Në fakt unë menjëherë pas votimeve , ende pa u numëruar dhe ditur rezultatet e votimit për deputetë isha tërhequr publikisht nga gara, duke sqaruar arsyet. Ne bëmë ankesë për shkak të seriozitetit të problemit që shtrohet më poshtë.
Duke u nisur nga deklaratat që u dhanë nga vetë KQZ , duke përfshirë edhe kryesuesen e KQZ-së edhe në këto votime ka pasë lëshime dhe shkelje të rregullave gjatë numërimit të votave të kandidatëve dhe rishpërndarje të tyre midis kandidatëve brenda listave të subjekteve politike pjesëmarrëse në zgjedhjet nacionale të qershorit të këtij viti, si dhe duke u nisur edhe nga debati që pata në Facebook pas disa postimeve të mia, duke përfshirë sidomos edhe pohimet e një komisionari, ne kërkuam nga PZAP dhe më vonë tre kolegët e tjerë edhe nga Gjykata Supreme e që të konstatohet se sa është e pranishme kjo dukuri . Të konstatohet çfarë dimensioni ka dhe sa kjo anamali , që përcjellë vazhdimisht procesin e numërimit të votave, e deformon rezultatin e zgjedhjeve. Për ta konstatuar këtë ne propozuam që kjo të konstatohet nëpërmjet të analizës detale të një mostre reprezentative për gjithë kutitë e votimit , të formuar me metodën e rastësishme që do të gjenerohej nëpërmjet një modeli statistikor dhe programi kompjuterik shumë të thjeshtë që përdorin thuaja të gjitha organizatat kërkimore.
Mostra do të sajohej ashtu që gjithë numrat e vendvotimeve do të ishin një input për kompjuterin dhe në bazë të instruksioneve kompjuteri do të jepte për shembull 248 kuti për rinumërim dhe krahasim me rezultatet e votave për të proklamuara për deputetë sipas proceseve nga komisionarët.
Kjo do të na jepte informatën e duhur për të konstatuar se sa ato rezultate, me çfarë % shmangen nga votat brenda kutive, me një saktësi brenda standardeve të pranueshme . Kjo do te jepte një informatë se sa është kjo shmangie, sa e deformon ajo votën e qytetarëve të Kosovës, dhe më ne fund sa mund të jemi konfidentë se deputetët që do të certifikohen janë ata që i kanë votuar mjaftueshëm qytetarët në krahasim me ata që kanë mbetur jashtë Kuvendit, sidomos ata që janë afër me numrin e votave me ata që hyjnë në Kuvend.
Ne fakt serioziteti i këtij problemi del edhe nga shembulli i numërimit të 116 kutive që rezultuan me tri ndryshime në përbërjen e deputetëve për subjekte të caktuara. Por kjo nuk mund të merret për bazë për përfundime lidhur me rregullsinë e zgjedhjeve , ngase mostra nuk ishte e rastësishme por e zgjedhur sipas kërkesave të deputetëve të caktuar dhe si e tillë nuk është reprezentative dhe e besueshme për një vlerësim të përgjithshëm. Kandidatët për deputetë e kanë të vështirë të kenë pasqyrë për këtë çështje. Ata nuk janë prezent në vendvotime kur numërohen votat as kur votohet duke respektuar rregullat e caktuara.
Ata edhe nuk mund të investigojnë individualisht, dhe shumë prej tyre nuk duan të veprojnë në bazë të informatave që marrin pas aktivitetit zgjedhor e numërimit të votave dhe sipas pritjeve të tyre , ose në stilin : mua “me kanë votuar”, “këtu e këtu kam lidhje“miqësore” , “kam lidhje familjare këtu e aty”, pasi që votimi është i fshehtë dhe i tillë duhet të mbetet.
PZAP dhe Gjykata supreme arsyetuan vendimet e tyre se kërkesa jonë nuk ishte e argumentuar, se na mungojnë dëshmitë (duke harruar deklaratën publike të një komisionari e edhe vetë deklaratat publike të përfaqësuesve të KQZ) , dhe se nuk është paraparë me rregullat , procedurat dhe ligjin. Por harruan se një analizë e tillë, me një metodë standarde kërkimore, askund nuk është as e ndaluar. Andaj ajo do të mund të aprovohej. Kjo nuk u aprovua dhe ne mbesim në mëdyshje mbi korrektësinë rezultatit zgjedhor lidhur me atë se a janë deputet që certifikohen këto ditë ata që duhet të jenë, apo ka disa që kanë mbetur jashtë dhe do të duhej të certifikoheshin ? Dhe ky fakt ka një rendësi tepër të madhe për kredibilitetin e deputetëve dhe për kredibilitetin e institucionit supreme te demokracisë përfaqësuese në Republikën tonë Parlamentare. KQZ dhe institucionet tjera përgjegjëse shpresoj të mendojnë më thellë për këtë çështje dhe jo ta trajtojnë me rutinën dhe konformitetin e zakonshëm këtë dukuri që po i shoqëron disa raunde zgjedhjesh tek ne. Ata por edhe DnV dhe akterët e tjerë në shoqërinë civile e në medie po ashtu duhet të bëjnë çmos që kjo “rishpërndarje” e votave nga komisionarët të ndërpritet dhe sanksionohet. Frikohem se edhe kësaj here po veprojmë duke ndjekur shembullin e strucit.
Komiteti Ekzekutiv i FFK-së miratoi projekte të rëndësishme ...
Suplementet që nuk duhet t’i merrni kurrë së bashku, sipas e...
Xheneta ia shqyen tekstin e këngës që Gjesti shkroi gjatë që...
Biden do të marrë pjesë në inaugurimin e presidentit të zgje...
Spektakël në ndeshjet e sotme në Ligën e Kampionëve, shënohe...
Shtohen infeksionet respiratore në Shqipëri, Pediatria e mbu...