Haziri tregon se për çka u morën vesh Isa Mustafa dhe Albin Kurti

18:05 | 7 Korrik 2017
M. A.

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lutfi Haziri ka shpalosur se çfarë u diskutua në takimin e djeshëm në mes të Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, në të cilin ishte i pranishëm edhe vetë ai.

Zëvendëskryetari i këtij subjekti tha se me ish liderin e Vetëvendosjes Albin Kurtin janë marrë vesh për një qeverisje që ka qëllim ndryshimin e gjendjes politike ekonomike e sociale.

“Jemi marre vesh për tu marrë vesh” lidhur me një qeverisje për ndryshimin e gjendjes politike, ekonomike e sociale në vendin tonë dhe për Republikën! Konstatuam legjitimitetin e shumicës politike dhe politikes shqiptare të Kosovës duke garantuar pakicat etnike qe jetojnë në Kosovë”, u shpreh Haziri për Express.

Megjithatë, edhe pas këtij takimi me ish- liderin e Vetëvendosjes, zyrtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës tha se nuk janë bërë ende bashkë, por ky vetëm ishte takimi i parë mes të dyjave subjekteve politike.

Kandidati për kryeministër Albin Kurti, të enjten në mbrëmje tha se është takuar me kryeministrin në detyrë dhe liderin e LDK-së, Isa Mustafa.

Mirëpo, Kurti nuk ka treguar se për çka është biseduar, por ka lënë të kuptohet se takime të tilla do të ketë edhe në të ardhmen.

Sidoqoftë, Haziri ka folur edhe për deklarimet e presidentit Thaçi se Haradinaj ia ka konfirmuar atij që numrat për ta formuar Qeverinë tashmë i ka siguruar.

“Është detyrë e tij ta respektojë kushtetutën e jo me u marrë me interpretime apo konfirmime në emër të të tjerëve”, tha Haziri.

Ai shtoi se nëse Haradinaj i ka numrat, atëherë Presidenti duhet t’ ia jap mandatin për Qeveri, liderit të AAK’së

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme