AKR përkrah Kurtin për kryeministër

23:53 | 5 Korrik 2017
M. A.

AKR-ja do të përkrahë Albin Kurtin, nëse ai do të jetë kandidati për kryeministër nga një bashkim i mundshëm i koalicionit LAA me Vetëvendosjen.

Agim Bahtiri i AKR-së thotë se Kurti dhe Vetëvendosja janë fituesit më të mëdhenj të zgjedhjeve të 11 qershorit.

“Vetëvendosje ka pas program të mirë dhe Kurti paraqitje jashtëzakonisht të mira. Kjo është përshëndetur edhe nga ndërkombëtarët. Tash është koha të ecim përpara. Sigurisht që ne do të përkrahim Kurtin për kryeministër. Do të bisedojmë dhe çdo vendim që do të merret i përbashkët do ta përkrahim”, ka thënë ai në Interaktiv të KTV-së.

Lidhur me deklaratat nga LDK-ja se preferon që të mbesë në opozitë, Bahtiri ka thënë se Kosovës nuk i duhen zgjedhje të menjëhershme, edhe pse thotë se fituesi do të dihej qysh tani.

“Nuk mendoj se i duhet vendit që të shkojë në zgjedhje edhe pse ne do të fitonim më së shumti. Fituesi do të ishte bindës, nga koalicioni që do të bënim. Por po u them që Kosova nuk e ka luksin që të bëjë zgjedhje çdo dy muaj”, ka shtuar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme