Mbi 15 mijë studentë të rinj në universitetet publike

14:14 | 5 Korrik 2017
Arbresh.info

Ministria e Arsimit ka vendosur që në vitin e ri akademik 2017-18 në universitetet publike në Kosovë të regjistrohen mbi 15 mijë studentë të rinj. Vetëm në Universitetin e Prishtinës këtë vit kuota e studentëve të rinj do të jetë mbi 7 mijë.

Në një intervistë për Radio Kosovën ministri i Arsimit në detyrë, Arsim Bajrami tha se po vazhdon me politikat e zvogëlimit të numrit të studentëve dhe rritjes së cilësisë.

Ministria e Arsimit i ka vendosur kuotat e regjistrimit të studentëve të rinj në universitetet publike për vitin akademik 2017-18 ku pritet të pranohen gjithsej mbi 15 mijë të rinj. Vetëm në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” ministria ka vendosur që të regjistrohen më shumë se 7 mijë brucoshë.

Ministri i Arsimit në detyrë, Arsim Bajrami, tha se që nga nesër universitet publike janë të lira të shpallin konkurset për regjistrim të studentëve të rinj.

“Ministria e Arsimit sot i ka miratuar kuotat e të gjitha universiteteve publike për vitin akademik 2017-18, gjegjësisht nga nesër do të hapen konkurset për pranimin e studentëve në të gjitha universitetet publike. Totalisht sivjet universitetet publike do të pranojnë 15 mijë e 255 studentë ndërkaq vetëm UP do të pranoj 7 mijë e 200 studentë”, tha Bajrami.

Ministri Bajrami u ka bërë ftesë të gjithë të rinjve që të orientohen në drejtime profesionale. Ai tha se i siguron të gjithë të rinjtë se do të vendoset parimi i meritave në pranimin e tyre. Ministri tha se edhe këtë vit do të vazhdoj trendi i kuotës prej 12 për qind për komunitetet joshumicë në Kosovë si dhe një numër i caktuar për studentët nga Lugina e Preshevës dhe viset tjera shqiptare sipas marrëveshjeve. Bajrami tha se edhe këtë vit Ministria e Arsimit ka arritur që të shkurtoj vendet e lira nëpër programet shoqërore derisa e ka rritur numrin në ato natyrore apo deficitare.

“Ky është viti i tretë ku unë në cilësinë e ministrit i aprovoj kuotat dhe sivjet kemi arrit në 40 për qind të shkurtimit e numrit total në drejtimet shoqërore dhe e kemi rritë në drejtimet natyrore për të pas politika REALE TË regjistrimit dhe për të ndalur atë trendin e orientimit vetëm kah drejtimet shoqërore për të cilat është problem të sigurohet një vend pune apo ka mjaft kuadro pa punë që presin një punë”, tha ai.

Bajrami premtoi se për të ndërruar këtë trend ministria që ai e drejton do të aplikoj ndarjen e bursave për drejtimet deficitare apo edhe lirimin e studentëve nga pagesa e studimeve. Bajrami tha se në shkurtimin e numrit të studentëve nëpër universitete publike ka ndikuar edhe mosakreditimi i një numri të programeve studimore nga Agjencia e Akreditimit. Mirëpo ai e përshëndeti këtë vendim duke thënë se është jashtëzakonisht pozitive vendosja e standardeve të larta të cilësisë. Bajrami tha se në vend të politikave të gjtihpërfshirjes po vendosim politika të cilësisë. Sivjet shkollimin mesëm e kanë përfunduar rreth 27 mijë maturantë ndërsa testit të maturës shtetërore, i cili iu mundëson vazhdim të shkollimit universitar, iu kanë nënshtruar mbi 23 mijë të rinj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme