Shqiptarët kanë 31 mijë biznese në Itali

12:10 | 5 Korrik 2017
arbresh.info

Janë rreth 450 mijë emigrantët shqiptarë, që jetojnë në Itali, të cilët kanë hapur rreth 31 mijë biznese në shtetin përtej Adriatikut, sipas të dhënave zyrtare nga Bashkimi i Dhomave të Tregtisë së Italisë, kryesisht në tregti dhe ndërtim.

Siç raporton Monitor është një shifër e lartë kjo, po të kemi parasysh se në Shqipëri, nga Regjistri i Ndërmarrjeve 2016  të INSTAT, numëroheshin rreth 123,378 njësi ekonomike, duke përjashtuar NIPT-et e fermerëve, përcjell albinfo.ch.

Pra, numri i ndërmarrjeve që shqiptarët kanë hapur në Itali është sa një e katërta e totalit të bizneseve që janë hapur në Shqipëri.

Nisur nga të dhënat e popullsisë dhe numrit të sipërmarrjeve, rezulton se Italia ka qenë shumë më mikpritëse për bizneset me pronësi emigrantë shqiptarë, sesa Shqipëria është për vetë shqiptarët.

Në Itali, rezulton se janë hapur 70 ndërmarrje për 1000 banorë (emigrantë shqiptarë), ndërsa në Shqipëri ky tregues është 43 ndërmarrje për 1000 banorë.

Shqiptarët renditen të katërt nga komunitetet që jetojnë në Itali për nga numri i sipërmarrjeve të themeluara atje, ndërkohë që shqiptarët janë komuniteti i dytë më i madh në vend, pas atij rumun, me 450 mijë shqiptarë.

Sipërmarrjen me shtetas të huaj po rritet me një ritëm të shpejtë krahasuar me ndërmarrjet e sipërmarrësit vendas. Në përgjithësi, sipërmarrësit e huajnë po operojnë në sektorin e ndërtimit dhe të tregtisë, shkruan Il Sole. Tashmë bizneset e huaja përfaqësojnë 9.5% të totali të sipërmarrjeve në Itali.  Të dhënat kanë dalë nga anketat e kryera prej Bashkimit të Dhomave Tregtare dhe të Dhomës së Tregtisë.

Në total numri i sipërmarrjeve të themeluara nga shtetas të huaj shkon në 575 mijë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme