Maiziere: Rusia do të përpiqet të ndikojë në zgjedhjet gjermane

11:35 | 5 Korrik 2017
Arbresh.info

Gjermania pret që Rusia të provojë të ndikojë në zgjedhjet e përgjithshme që do të mbahen në shtator, duke synuar humbjen e besimit në demokracinë e Gjermanisë dhe jo me ndonjë tendencë për promovimin e ndonjë kandidati, kanë thënë disa zyrtarë gjermanë.

Ministri i Punëve të Brendshme, Thomas de Maiziere, ka thënë në një konferencë, se Berlini është duke u mobilizuar për dy sulme të cilat lidhen me lajme të rreme që supozohet të jenë orkestruar nga Moska.

“Ne kemi parë një ndikim të mundshëm të zgjedhjeve në Amerikë, dhe të atyre në Francë”, ka thënë ai.

“Kemi arsye të forta për të besuar se këto lëvizje kanë ardhur nga Rusia andaj nuk mund të përjashtojmë mundësinë se do të ketë tentime të tilla edhe në zgjedhjet e Gjermanisë”.

De Maiziere ka thënë se pret “ një kampanjë klasike të dezinformimit me gënjeshtra dhe të gjysmë të vërteta, me qëllim të krijimit të një opinioni publik.

Ai ka thënë se këta hapa mund të përcjellen me profile të rreme në rrjete sociale.

“Gjëja e vetme që mund të na ndihmojë është qetësia, zbulimi i së vërtetës dhe prezantimi i fakteve”, ka shtuar Maiziere.

Rusia mohon në vazhdimësi ndikimin në zgjedhjet jashtë Rusisë.

Hans-Georg Maassen, presidenti i agjencisë së Intelegjencës në Gjermani, ka thënë se derisa ende nuk është e qartë se cili është qëllimi kryesor i Rusisë në zgjedhjet gjermane, ai ka supozuar se presidenti rus Vladimir Putin do të preferonte dikë tjetër në vend të kancelares gjermane, Angela Merkel.

Merkel, e cila mbështet sanksionet kundër Rusisë për agresionin e saj në Ukrainë, ëshë duke kërkuar mandatin e saj të katërt në zgjedhjet e 24 shtatorit.

Maassen ka shtuar se sistemi i votimit në Gjermani ka më pak mundësi të jetë cak i sulmeve, pasi votimi në këtë vend është më i shprehur përmes votës në letër, në krahasim me votën elektronike.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme