Nga: Shaqir Vukaj
Gjatë punës si ambasador i Shqipërisë në Moskë, nga historianë rusë kisha dëgjuar se në muret e sallës Georgievskaja të Kremlinit, krahas pllakave tjera përkujtimore, ndodhet dhe një pllakë mermeri ku, me germa të arta shkruhej për një Batalion Shqiptar që kishte luftuar kundër Turqisë, përkrah trupave ruse e më vonë, në përbërje të Ushtrisë Perandorake të Rusisë.
Gjatë një pritjeje në Kremlin, duke kërkuar ndërmjet këtyre pllakave e gjeta atë ku shkruhej për shqiptarët dhe e fotografova (fotografia e mëposhtme). Në të shkruhej:
“Batalioni këmbësor grek i Ballakllavit krijuar mbi bazën e trupës luftarake shqiptare, themeluar në vitin 1775. Në vitin 1809 është quajtur Batalioni këmbësor grek i Ballakllavit”.
Më kishte tërhequr kjo temë dhe historia e këtij batalioni shqiptar, fati i luftëtarëve të tij, emigrimi i tyre drejt Rusisë dhe fati i tyre etj. që më dukej më shumë si legjendë, por jo nga ato legjendat që sajojmë ne shqiptarët…. Kisha grumbulluar materiale nga burime të ndryshme dhe arkivat ruse, por, me që në letrat shqipe nuk kisha lexuar gjë për të, iu drejtova historianit të njohur, Prof. Pëllumb Xhufit, si mik dhe specialist i kësaj fushe. Mbasi i dhashë fotografinë i kërkova të shkruante rreth këtij problemi, për me tepër që lidhej me historinë e shqiptarëve të Himarës. Ai me modesti, më këshilloi të shkruaja unë, ndërmjet tjerave edhe sepse kisha shumë materiale në gjuhën ruse për këtë problem…
Pa pretenduar të hyj në fushën e atyre historianëve, që trajtimin e temave e kësaj natyre e quajnë të drejtë vetëm të tyre, me dëshirën e mirë për të bërë të njohur aq sa kam arritur të zbuloj unë, si dhe për të nxitur specialistët e këtyre fushave për kërkime të mëtejshme, do të përpiqem të përcjellë tek lexuesi disa të dhëna që kam nxjerrë nga burime të ndryshme. Historianët e specializuar, në qoftë se u duken interesante këto të dhëna, t’i kanalizojnë, t’i thellojnë e t’i pasurojnë në studimet e tyre. Sigurisht që disa gjëra duken si legjenda, por jam i bindur se po të thellohen, specialistët do të gjejnë materiale edhe më interesante, mbasi me sa kam parë unë dhe, siç thonë historianët dhe specialistët rusë, në arkivat e tyre ka shumë materiale të pa studiuara, madje të pa hapura asnjëherë për historinë e Shqipërisë, marrëdhëniet tona me Turqinë, me vendet e Ballkanit, me Rusinë etj.
Salla Georgievskaja
Së pari dua të flas shkurtimisht për sallën Georgievskaja. Ajo është salla më madhështore dhe më e bukur jo vetëm e Kremlinit… që i është vënë ky emër për nder të Gjergjit të Shenjtë Fitimtar, në nderim të të cilit është krijuar Urdhri më i Lartë Ushtarak i Rusisë, me të cilin janë dekoruar njësi dhe ushtarakë të shquar të Ushtrisë Ruse. (Ky Urdhër, është vendosur nga Caresha Ekaterina në vitin 1769 dhe ka ekzistuar deri në fitoren e Revolucionit Socialist të Tetorit. Përveç Urdhrit ekziston edhe Medalja e Gjergjit Fitimtar, me të cilin janë dekoruar rangje më të ultë ushtarakësh).
Krahas Urdhrit dhe Medaljes së Gjergjit, shumë urdhrave dhe yjeve ushtarakë të ekspozuara në këtë sallë, në muret e saj janë të fiksuara pllaka mermeri, ku, në secilën, me germa të arta janë shkruar emrat e 545 regjimenteve, ekuipazheve të anijeve dhe njësive luftarake si dhe të 10 mijë oficerëve dhe gjeneralëve që janë dekoruar me këtë Urdhër ose Medalje. Kjo sallë konsiderohet si salla më madhështore e Kremlinit dhe aty organizohen aktivitetet dhe ceremonitë më të rëndësishme të shtetit rus.
Njësi shqiptare
Nderimi që i është bërë kësaj njësie luftarake shqiptare, duke e renditur përkrah 544 njësive luftarake më të lavdishme të ushtrisë ruse të të gjitha kohërave, është tepër domethënës dhe tregon se kjo njësi duhet të ketë luajtur një rol të veçantë në zhvillimet luftarake të asaj periudhe.
Në historiografinë ushtarake ruse shkruhet kështu për këtë njësi: “Batalioni grek i Ballakllavit – në Perandorinë ruse ka qenë njësi Luftarake Shqiptare, e cila ka marrë pjesë në luftërat ruso-turke, në vitet 1768-1774, 1787-1792, 1806-1812 si dhe në Luftën e Krimesë”.
Sipas shumë dokumenteve të arkivave ruse, të cilave i referohen studiues rusë që janë marrë me këtë problem, rezulton se këta luftëtarë shqiptarë kanë qenë nga Jugu i Shqipërisë, kryesisht nga krahina e Himarës.
Fillimisht do t’i referohem historianit të njohur për historinë e Greqisë dhe Shqipërisë, Prof. Dr. Grigor Arshit, i cili krahas tjerave, në vitin 1963 (kur marrëdhëniet sovjeto-shqiptare ishin ndërprerë krejtësisht) ka botuar në Moskë librin “Shqipëria dhe Epiri. Në fund të shekullit XVIII dhe në fillim të shekullit XIX”. Siç shkruan autori në hyrje, por që e ka përsëritur disa herë edhe më vonë, madje edhe në bisedat që kam zhvilluar me të, në arkivat ruse ka shumë materiale që flasin për historinë e Shqipërisë dhe të Greqisë, por që janë shfrytëzuar shumë pak, sepse, siç shkruan ai, “historiografia ruse dhe sovjetike është marrë kryesisht me historinë e Jugosllavisë dhe të Bullgarisë…..”
Në studimin e tij, autori duke u mbështetur në shumë burime arkivore ruse, kryesisht në Arkivin e Politikës Jashtme të Rusisë si dhe në shumë materiale të studiuesve të huaj që kanë vizituar tokat shqiptare, pohon në mënyrë kategorike se, luftëtarët shqiptarë të trupës luftarake që nderohen në sallën Georgievskaja, ishin shqiptarë nga Himara, por kishte dhe shqiptarë nga Morea. Për të arritur ne një përfundim të tillë, në veprën e tij, ai i kushton një vend të dukshëm Himarës, lidhur me popullsinë e saj, kushtet social-ekonomike, mënyrën e jetesës, marrëdhëniet me jashtë, në radhë të parë me Rusinë etj.
Është tepër i rëndësishëm fakti se autori, si specialist dhe njohës shumë i mirë i historisë Greqisë, (në Rusi ai vlerësohet si një nder studiuesit më të mirë rusë të kësaj fushe) që ka shkruar shumë më tepër për Greqinë se për Shqipërinë, shkruan pa asnjë mëdyshje se Himara ka qenë historikisht shqiptare, e banuar nga shqiptarë.
Pano Bixhili
Në kapitullin e parë të librit “Shqipëria dhe Epiri….” thuhet: “Në vitin 1785, Pano Bixhili, shqiptar, banor i Himarës, i cili ndodhej në shërbim të Rusisë, ishte emëruar konsull i përgjithshëm i Rusisë në Shqipëri. Me të arritur në qytetin e Artës, që e kishte zgjedhur si vend rezidence të tij, ai i shkruante ambasadorit rus në Turqi, Bullgakov: “Duke pas parasysh shtrirjen e madhe të këtyre tokave – ku unë jam emëruar konsull i përgjithshëm – duhet dhe, nuk është e pa dobishme, të caktohen nënkonsuj në vendet e me poshtme: në Mesollongji, në Prevezë, në Janinë, në gjirin e Vlorës, në Durrës dhe në Shkodër”. Vetëm nga ky pasazh – shkruan Pr. Arshi – shihet se Bixhili, me Shqipëri kuptonte një hapësirë të gjerë të gadishullit të Ballkanit, që nga Mali i Zi deri në Peloponez.
Duke u marrë në veçanti me Himarën, bazuar, në materialet e disa autorëve të huaj që kishin vizituar tokat shqiptare si dhe në materialet e arkivave ruse, ai pohon në mënyrë kategorike se ajo është krahinë shqiptare, banuar nga shqiptarë, që nuk i është nënshtruar asnjëherë pushtueseve osmanë dhe ata (osmanët) kanë qenë të detyruar të njihnin autonominë e Himarës, e cila, në shekujt e parë të pushtimit osman, përfshinte 50 fshatra, madje në shekullin e XIII ajo shtrihej nga Vlora dhe Tepelena deri në Butrint. Sipas organizimit të sotëm, shkruan autori, ajo përmbledh 10 fshatra.
Lidhur me organizimin shoqëror, Himara, si krahinat e tjera malore të Shqipërisë, ruante format patriarkale të jetesës, ku familjet trashëgonin dhe ruanin fort marrëdhëniet fisnore, madje edhe në qoftë se ishin në lidhje gjaku të brezit të 5-të, 10-të apo të 20-të, ata nuk martoheshin me njëri tjetrin. Njëlloj si në zonat malore të Veriut edhe në Himarë ekzistonte gjakmarrja. Në qoftë se në krahinat veriore të Shqipërisë, ekzistonte ndarja në bajraqe dhe kishte një të parë, që quhej bajraktar, në Himarë ata quheshin udhëheqës, kapedanë ose bujarë dhe përmenden shembuj: në Palas ishte kapedan Leka, në Himarë bujar Varfi, në Dhërmi kapedan Nini etj.
Duke qenë një krahinë tepër e varfër, për të siguruar mjetet e jetesës, krahas migrimit në krahina te tjera (Sipas një raporti të konsullit rus në Vlorë, zotit Bixhili, vetëm në krahinën e Vlorës, punojnë me mëditje më shumë se 500 himarjotë të varfër), himarjotët kanë shërbyer në shumë ushtri të huaja me pagesë. Sipas shumë të dhënave dhe dokumenteve, në shekujt e XVI dhe në gjysmën e parë të shekullit XVIII, himarjotët kanë shërbyer vazhdimisht në ushtritë spanjolle dhe venedikase. Nga viti 1735, napolitanët filluan të përdorin forcat ushtarake të Himarës, madje në Mbretërinë e Napolit u formua batalioni shqiptar, që më vonë u riorganizua dhe u quajt “Regjimenti mbretëror-maqedonas”. Të huajt rekrutonin mercenarë nëpërmjet kapedanëve vendas dhe Pr. Arshi, duke u mbështetur në kujtimet e V.Leake, sjell shembullin e kapedan Zako Gjergjit që merrej me këtë punë në zonën e Himarës.
Miti i Moskovit
Megjithëse marrëdhëniet shqiptaro-ruse janë studiuar pak, vëmë në dukje se në shekujt XV-XVIII edhe në Shqipëri ishte ngritur miti i Moskovit, në radhë të parë si shpëtimtar i të krishterëve që vuanin nën zgjedhën osmane. Disa peshkopë, si kryepeshkopi Gavril në v.1586, peshkopi Teofil në vitin 1587 dhe patriarku i Ohrit Atanasi, Neofili nga Korça etj. shkonin në Moskë jo vetëm për të kërkuar ndihma humanitare… Në fund të shekullit XVI Moskovi ishte bërë një faktor real në politikën ballkanike.
Interesat e Rusisë për Ballkanin janë të hershme, por ishte Pjetri Madh, që me thirrjen e tij në vitin 1711, bëri që Rusia të përfshihej direkt në zhvillimet ballkanike. Në fakt, në trojet shqiptare shpërthyen një seri kryengritjesh antiosmane dhe Pjetri i Madh, nëpërmjet letrave të vitit 1715, falënderonte fiset shqiptare të Kelmendëve, Kuçëve dhe të Pipërit për ndihmën dhe lëvdonte trimëritë dhe sakrificat e tyre. Kësaj periudhe i përket edhe puna për hapjen e konsullatave ruse në trojet shqiptare.
Në vitin 1759 përfaqësuesit e popullit të Himarës u mblodhën në një Kuvend dhe vendosën ti drejtoheshin Careshës së Rusisë, Elizabeta Petrovna me një letër, ku i shprehnin gatishmërinë e tyre për të luftuar nën flamurin e Rusisë dhe për të pranuar sovranitetin e Careshës Elizabetë. Në vitin 1760, kapedan Spiro Bixhili, në emër të Kuvendit i dorëzoi përfaqësuesit të Rusisë në Stamboll, A.Obreskovit një letër, nëpërmjet së cilës, himarjotët shprehnin besnikërinë ndaj Rusisë dhe gatishmërinë për të kryer akte diversioni kundër Turqisë në kohë lufte, si dhe gatishmërinë për të krijuar një ose dy regjimente ushtarake në kohë paqeje. Obreskovi i bëri të ditur atij, se Rusia nuk mund të pranonte krijimin e njësive të tilla luftarake në kohë paqeje, por në kohë lufte, ajo do të mirëpriste shërbimet dhe ndihmën e tyre.
Në emër të popullsisë katolike dhe ortodokse të Veriut të Shqipërisë edhe fisniku nga Shkodra, Jakob Suma i shkruante një letër me përmbajtje pothuajse të tillë, Careshës Elizabetë. Ai kërkonte që një pjesë e Shqipërisë dhe Iskenderia (Shkodra) të vihej nën autoritetin sovran të Rusisë, por ai nuk propozonte të krijoheshin njësi luftarake në shërbim të Rusisë, por të dërgoheshin në Rusi të rinj nga familje fisnike shqiptare për të mësuar shkenca të ndryshme….
Himariotët dhe Rusia
Studiues rusë dhe të huaj, bazuar në shumë dokumente të asaj periudhe shkruajnë se himarjotët, duke ju përgjigjur thirrjeve të komandantëve rusë, ju bashkuan forcave ruse dhe morën pjesë në luftërat ruso-turke të viteve 1768-1774. Himarjotët u dalluan për trimëri dhe, për burrërinë e treguar, atyre ju dhanë shumë dëshmi nga komandantët e gjeneralët rusë. Pr. Arshi shkruan se jo vetëm në Himarë, por në të gjitha rajonet e Shqipërisë, banorët shprehnin simpati për Rusinë. (Ai hedh një ide interesant kur shkruan se “një ndër arsyet e shkatërrimit të Voskopojës, në vitin 1769, nga ana e bejlerëve të Myzeqesë të shtyrë nga Porta, ishte se qytetarët e Voskopojës shprehnin haptazi simpatinë për Rusinë”).
Pikërisht në këto ngjarje e ka zanafillën dhe Batalioni Shqiptar i Ballakllavit. Sipas Pr.Arshit dhe disa autorëve të tjerë, të dhënave dhe dokumenteve të institucioneve zyrtare të Perandorisë Ruse dhe të shtetit të sotëm rus, pjesëmarrja e shqiptarëve në luftërat ruso-turke solli dhe një emigrim të konsiderueshëm të shqiptarëve drejt Rusisë. Mbas nënshkrimit të Paqes së Kuçuk-Kainarxhisë, në vitin 1774, shumë shqiptarë që kishin marrë pjesë në luftë përkrah Rusisë, për arsye të ndryshme vendosën të emigronin në Rusi. Sipas burimeve zyrtare ruse, vetëm në këtë periudhë kanë emigruar mbi 1000 shqiptarë, kryesisht himarjotë, por edhe disa shqiptarë nga Morea.. Në shumë materiale që kam gjetur, shpjegohet si janë transportuar këta emigrantë, si janë trajtuar, ku janë vendosur fillimisht etj. Por emigrimi i shqiptarëve ka vazhduar edhe në vitin 1776.
Mbas bashkimit të Krimesë me Rusinë, emigrantët shqiptarë së bashku me emigrantë grekë janë vendosur në Ballakllav dhe në shtatë fshatra midis Ballakllavit dhe Jaltës.(Ballakllavi në atë kohë ka qenë një liman i vogël, por që me kohë është zgjeruar duke u kthyer më vonë në një nga bazat e rëndësishme ushtarake, madje në epokën sovjetike është vlerësuar si një bazë tepër e rëndësishme ushtarako-detare) Të dhëna të ndryshme na tregojnë se edhe mbas luftës ruso-turke të viteve 1787-1789, shqiptarë të tjerë që kishin marrë pjesë në luftë së bashku me grekë, u shpërngulën vullnetarisht në Rusi dhe, sipas një dekreti të Ekaterinës II, atyre ju dhanë toka në periferi të qytetit të Odesës.
Valët e emigracionit
Ka të dhëna se një valë tjetër emigrimi e shqiptarëve, ka ndodhur gjatë sundimit rus në Korfuz, në vitet 1799-1807, kur shumë suljotë dhe himarjotë shërbyen në trupat e Admiralit Ushakov. Dokumentet vërtetojnë se ata kishin krijuar dhe një njësi ushtarake të quajtur reparti i “gjahtarëve shqiptarë” me komandantë oficerë shqiptarë, nën komandën e eprorëve rusë.
Siç kanë shkruar shumë autorë, përfshijë edhe të kohës së sotme, pikërisht prej këtyre emigrantëve shqiptarë kanë marrë emrin dy rrugët e njohura të Odesës, (Rruga e Madhe Arnaute dhe Rruga e Vogël Arnaute), që sot janë ndër rrugët kryesore në këtë qytet, për të cilat do të flasim më poshtë.
Duke kërkuar, kam arritur të gjej disa të dhëna interesante nga institucione zyrtare ruse e ukrainase si dhe nga autorë rusë dhe ukrainas, që janë marrë me historinë e këtij batalioni, të dhëna nga botimet e ndryshme për qytetin e Odesës, artikuj e shkrime në shtypin e kohës apo kujtime e shkrime nga autorë rusë e të huaj etj. Sigurisht jo të plota, por me shpresë se specialistët e kësaj fushe do t’i thellojnë kërkimet dhe do të krijojnë një kuadër më të plotë të kësaj historie …..
Në faqen e internetit të Ministrisë Jashtme të Rusisë, në kapitullin Marrëdhëniet historike të Rusisë me vendet ballkanike, ndërmjet tjerave thuhet: “Luftërat ruso-turke shërbyen si katalizatorë të demonstrimeve antiturke, jo vetëm të popujve sllavë.
Në këtë periudhë, Rusia ishte kthyer në kundërshtarin më serioz të Perandorisë Osmane, dhe nga shqiptarët shihej si një aleat potencial. Nën ndikimin e fushatës së Pjetrit I, të vitit 1711, u aktivizua lëvizja për pavarësi e Himarës – zonë malore në Jug të Shqipërisë, me popullsi dominuese ortodokse. Nga gjysma e dytë e shekullit të XVIII ka filluar emigrimi i shqiptarëve në Rusi. Nxitje për këtë ka shërbyer lufta ruso-turke 1768-1774. Mbas nënshkrimit të Paqes së Kuçuk-Kainarxhisë (1774), numri i emigrantëve shqiptarë që kanë shkuar në Rusi, bashkë me familjet e tyre i ka kaluar 1 mijë vetë. Më vonë ka vazhduar përsëri emigrimi i shqiptarëve drejt Rusisë. Shumica e shqiptarëve, do me thënë e arnautëve, janë vendosur në Krime dhe në Novorusi, për të cilat na flasin edhe emrat e rrugëve Arnaute në Odesë…”.
Në shumicën e shkrimeve të vjetra dhe të reja për historinë e themelimit të qytetit të Odesës, pa tjetër do të përmendet emri i shqiptarëve, herë si themelues të këtij qyteti, herë për rrugët që mbajnë emra shqiptarë, herë për ndonjë trashëgimi materiale që ka mbetur nga shqiptarët, herë për ndonjë fjalë shqip që përdoret edhe sot në të folmen e veçantë të Odesës apo për ndonjë pasardhës të shquar tyre….
Por a kanë lidhje shqiptarët që jetojnë sot në Ukrainë me ata që emigruan në atë periudhë në rrethinat e Odesës?
Shqipëria U19 e vajzave fiton ndeshjen e parë në kualifikues...
Osmani mirënjohëse ndaj Kolumbisë
Lamine Yamal fiton çmimin “Golden Boy” 2024
Haradinaj thërret konferencë për media nesër, s’dihet arsyej...
‘I kam treguar se ti e ke pëlqimin e sinqertë’, Xheneta dhe ...
Të arrestuarit në Kosovë për mbishkrimin “Kosova është Serbi...