Google ADS

Kurti në “Danas”: Thaçi e Vuçiq, vëllezër në fushën e mafisë ballkanike

14:40 | 4 Korrik 2017
arbresh.info

I nominuari për kryeministër nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një bisedë për të përditshmen serbe “Danas”, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi, “pas debaklit që pësoi partia e tij” në zgjedhjet parlamentare, po përpiqet të kompensojë mungesën e legjitimitetit qytetar “nga poshtë” dhe legjitimitetin ndërkombëtar “nga lartë”.

Duke komentuar takimin joformal mes dy presidentëve, të Kosovës dhe të Serbisë, në Bruksel, Kurti ka pyetur nëse ata ndoshta e kanë përfaqësuar “jo aq shumë Kosovën e Serbinë, sa secili prej tyre vëllanë e tyre prej nëne e prej babe, që janë bërë pasanikë shumë të mëdhenj të mafisë ballkanike”, transmeton Koha.net.

Duke folur për qeverinë e re të Kosovës dhe mundësinë që Ramush Haradinaj nga koalicioni PAN të bëhet kryeministër, Kurti ka konstatuar se nëse shumica e re parlamentare do të varej nga Lista Serbe, “rrjedhimisht nga Vuçiqi”, atëherë qeveria do të ketë dy kryeqytete, Prishtinën dhe Beogradin, që do ta çonin Kosovën në një krizë të madhe politike.

“Lista Serbe është dorë e zgjatur e qeverisë së Serbisë e cila më shumë i bën avokatin Beogradit zyrtar, sesa serbëve në Kosovë. Funksionojnë si staf i ambasadës së Beogradit në Kosovë, e jo si politikanë që përfaqësojnë serbët në institucionet e Kosovës”, ka vlerësuar Kurti.

Kurti mendon se dialogu i deritashëm me Beogradin në Bruksel nuk ka vënë asnjë kusht për Serbinë, “por është biseduar për punë të brendshme të Kosovës”.

“Prandaj, rezultati s’ka mundur të jetë i drejtë. Përse atëherë s’kanë biseduar edhe për Preshevën, Bujanocin e Medvexhën: Në parim, nuk jemi kundër dialogut, por jemi kundër dialogut pa parime, i cili Kosovën e ka kthyer në një temë agjendën e së cilës e cakton Serbia”, ka sqaruar ai.

I pyetur nëse do të jetë i gatshëm të vizitojë Beogradin në rast se bëhet kryeministër, Kurti ka thënë se “jam i ri që të them ‘kurrë’, por edhe shumë i pjekur që të prisja ndonjë përfitim nga kjo”.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme