Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka bërë të ditur për Radion Evropa e Lirë, se është duke shqyrtuar 65 ankesa pas publikimit të rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve të 11 qershorit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
Mul Desku, kryesues i Sekretariatit në PZAP, ka thënë se ankesat i kanë paraqitur kandidatët e koalicioneve dhe të subjekteve politike.
“Koalicioni PDK-AAK-NISMA,22 ankesa; LDK-AKR- Alternativa, 19; Lista Serbe 11 ankesa, edhe disa subjekte të tjera që janë më të vogla, që numri i atyre ankesave është 2 deri në 3 ankesa për subjekte të caktuara”, ka thënë Desku.
Sipas Deskut, ankesat kanë të bëjnë kryesisht për shkak të mospërputhjes së rezultateve në formularë dhe numërimi i disa votave. Ai ka sqaruar se deri të hënën në orën 14:00 do të dihen vendimet se çka do të ndodhë dhe si do të veprohet me ankesat e bëra nga subjektet e caktuara.
“Besoj se do të rinumërohen disa vota, paneli është duke punuar, duke vlerësuar dhe mbi bazën e asaj se çka do të vendosë nëse ka gjetje dhe arsye do të merren vendime edhe për rinumërime të votave”, ka shpjeguar Desku.
Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, ndonëse u vlerësuan se kaluan pa ndonjë parregullsi që do të cenonte integritetin e zgjedhjeve, u përcollën me ankesa e gjoba të shumta.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka bërë të ditur se kanë pranuar me herët 354 ankesa, derisa, për shkelje të kodit të mirësjelljes kanë gjobitur partitë politike në vlerën prej mbi 352 mijë euro.Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më 11 qershor.
Në bazë të rezultatit përfundimtar, është konfirmuar se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 39 ulëse në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 ulëse, kurse në vendin e tretë është koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën me 29 ulëse.
Nga komunitetet pakicë, prin Lista Serbe e cila ka fituar 9 ulëse, kurse Partia e Pavarur Libera ka marrë një ulëse. Po ashtu, edhe komuniteteve joserbe u janë ndarë 10 ulëset e garantuara.
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët në zgjedhje dolën mbi 747 mijë votues apo 41.30 për qind e pjesëmarrjes.
Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, mbi 50 mijë është numri i fletëvotimeve të pavlefshme. Nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 11 qershorit është përcaktuar përbërja e ardhshme e Kuvendit të Kosovës, i cili ka 120 ulëse.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...