Google ADS

Auditori zbulon dallaveret e Ministrisë së Kulturës në riparimin e veturave

10:52 | 1 Korrik 2017
Arbresh.info

Auditori i Përgjithshëm ka evidentuar disa parregullsi në procesin e riparimit të automjeteve për Ministrinë e Kulturës Rinisë dhe Sportit.

Në disa raste është evidentuar se çmimi në faturë është më i lartë se çmimi i kontraktuar. Çmimi i faturuar për vajin e motorit ka qenë 14.24 euro, kurse për të njejtën punë shuma e kontraktuar ishte 9 euro, raporton lajmi.net

“Në dy raste çmimi i faturuar ishte më i lartë se i kontraktuar. Çmimi i faturuar për vajin e motorit ishte 14.24€, ndërsa i kontraktuar 9€, ndërsa Semeringut diferencial, çmimi i faturuar ishte 45.78€, ose pothuajse dyfishi i çmimit të kontraktuar 25€”, thuhet në raportin e Auditorit.

Bartja e një veture nga vendi i prishjes deri në servis, në një distancë prej 182km është faturuar me 480 euro, edhe pse nuk dihet lokacioni prej nga dhe deri ku është bërë transportimi i automjetit.

“Bartja e një veture nga vendi i prishjes deri në servis, në distancën prej 182km, është faturuar me 480€. Poashtu nuk dihet as lokacioni prej nga, dhe deri ku është bartur vetura”, ka gjetur Auditori.

Pikërisht me servisimin e veturave janë gjetur edhe parregullsi të tjera si: mungesa e nënshkrimeve të persionit të autorizuar me rastin e pranimit të veturave, mungesa e emrave dhe dyshime tjera në vulosjen e këtyre dokumenteve.

Madje automjetet e dhëna donacion nga EULEX-i ishin servisuar pa kontratë.

“Në shumicën e rasteve, pranimi i veturave të servisuara nuk është bërë si duhet. Përveç që nuk kishte komision të pranimit, mungon nënshkrimi i personit të autorizuar me rastin e pranimit të veturave të servisuara. Në tri (3) raste fletëpranimi kishte vetëm nënshkrim, dhe nuk kuptohet emri i zyrtarit që ka bërë pranimin, tetë (8) fletëpranime kishin nga një mbishkrim “Zyrtari i MKRS” dhe një (1) fletë pranim ishte pa nënshkruar fare. Përveç kësaj, automjetet e dhëna si donacion nga EULEX ishin servisuar pa kontratë. Vlera e servisimeve të tyre ishte 5,670€”, bëhet e ditur në raport.

Auditori gjithashtu ka evidentuar edhe raste të shpenzimeve të parregullta, siç është shpenzimi i mjeteve në vlerë prej 410 mijë euro të ndara për gjashtë projekte të Institutit Albanologjik.

“Shpenzimi i mjeteve në vlerë prej 410,000€ të cilat ishin ndarë për gjashtë9 projekte të Institutit Arkeologjik të Kosovës, ishin bërë në kundërshtim më legjislacionin për shkak se:  Stafi që kishte punuar në realizimin e projekteve ishte angazhuar pa ndonjë procedurë të caktuar të rekrutimit, ndërsa kontratat e tyre ishin nënshkruar pas përfundimit të punëve; dhe  Shpenzimet tjera të projektit (material shpenzues; mjete për punë dhe shpenzime tjera që janë duhur gjatë gërmimit) ishin bërë pa ndonjë procedurë të prokurimit, duke anashkaluar ligjin e prokurimit publik.”

“Për më tepër, Instituti Arkeologjik i Kosovës (IAK) dhe MKRS kanë kompensuar punëtoret profesional dhe punëtorët ndihmës në teren, të angazhuar në realizimin e projekteve të trashëgimisë kulturore të lartpërmendura, me vlerë prej 254,795€, sipas rregullores nr. 01/2009 për pagesën e punëtorëve në teren, e cila është shfuqizuar me vendim të Kryeministrit”, ka gjetur Auditori i Përgjithshëm.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme