Koalicioni LAA-Vetëvendosje i mundshëm

19:51 | 30 Qershor 2017
Arbresh.info

Që nga zgjedhjet e 11 qershorit kanë vazhduar deklarimet nga zyrtarë të shumtë të partive politike se kush me kë do e bëjë Qeverinë dhe kush do e ketë mandatin e ardhshëm 4 vjeçar.

Spekulimet për një koalicion mes Lidhjes Demokratike të Kosovës, Aleancës Kosova e Re, Alternativës dhe Lëvizjes Vetëvendosje, flasin për një marrëveshje mes këtyre subjekteve politike që ato ta bëjnë Qeverinë dhe ta ndajnë mandatin për nga dy vite. Kryeministria për dy vitet e para t`i takojë Albin Kurtit dhe dy të tjerat Avdullah Hotit, apo anasjelltas.

Lidhur me këtë, deputeti i rizgjedhur i LDK-së, Naser Rugova ka thënë për “Indeksonline” se nuk është në traditën e LDK-së që të bëjë kësi lloj kombinimesh. Sipas tij, LDK-ja nuk do të pranojë pozitë inferiore në asnjë kombinim politik.

“Në politike mund të bëhen shumë kombinime politike, por nuk është në traditën dhe logjikën e LDK-së ky lloj propocioni politik. Besoj se LDK do të jetë si gjithmonë faktor kryesor në proceset e ardhme goxha sfiduese që e presin vendin. Qeverisja e vendit nga LDK-ja tashmë është e dëshmuar si më e mira e pasluftës. Mendoj dhe besoj fuqishëm që LDK-ja nuk do të pranojë pozitë inferior në asnjë kombinim politik”, ka thënë ai.

Ndonëse ka pasur deklarime nga zyrtarë të LDK-së për variantet se si mund të bashkohet LDK me Vetëvendosjen, për Rugovën ato janë krejt jorelevante. Kjo, meqë sipas Rugovës, nuk ka version zyrtar të LDK-së, andaj deklarimet para vendimeve të partive janë jo serioze.

“LDK është parti institucionaliste dhe me përvojë më të madhe në proceset politike. Ende nuk janë mbledhur organet vendim marrëse të partisë, sepse sot u publikuan rezultatet zyrtare nga KQZ-ja. Besoj në ditët në vijim organet partiake kompetente do të mblidhen bashkë edhe me grupin e ri parlamentar dhe do të dilet me qëndrimin zyrtar të LDK-së, i cili jam shumë i bindur do të jetë në interes të vendit dhe të anëtarësisë së LDK-së. Besoj fuqishëm që do t`i qëndrojmë besnik vullnetit të elektoratit tonë. Të gjitha deklarimet në media para vendimeve të forumeve partiake nuk i marr serioze dhe i konsideroj jorelevante”, është shprehur ai për “Indeksonline”.

Ndryshe, sot janë publikuar rezultatet përfundimtare ku koalicioni PDK-AAK-Nisma ka mbledhur 39 vende, Vetëvendosje 32 dhe LAA 29.

Lidhur me këtë, Rugova ka thënë se LDK-ja ka pritur rezultate më të mira.

“Vlerësoj se koalicioni LAA kishte një ofertë qeverisëse shumë konkrete, pragmatike, të realizueshme dhe më serioze për përspektivën e vendit si dhe një listë të kandidatëve më të mirë në aspektin profesional. Personalisht por edhe si LDK kemi pritur rezultat më të mirë, por ky ishte vullneti i qytetarëve dhe ne e respektojmë këtë vullnet”, ka deklaruar ai.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme