Artemije pohonte se “Kosova është pjesa më e shenjtë dhe më e rëndësishme e Serbisë, djepi i natyrës shpirtërore serbe, kulturës dhe shtetësisë. Për Serbinë dhe popullin serb, Kosova është e rëndësishme si zemra për njeriun. Nëse e shkulni zemrën, s`ka jetë. Kosova është identitet i patjetërsueshëm i Serbisë”.
Millosheviqi duke njohur mentalitetin e popullit të vet, e shfrytëzoi potencialin e popullit nacionalist serb, duke u fokusuar në platformën nacionaliste kundër Kosovës, me të cilën edhe erdhi në pushtet. Megjithëse Gjilasi tallej me politikbërjen e Millosheviqit në kohën e rënies së komunizmit, se ai promovonte nacionalizëm dhe ishte një komunist klasik, njëjtë edhe ne tallemi me politikat e këtij shekulli, që në logjikën tonë na duken absurde, por që në realitet ato reflektojnë me efikasitet. Millosheviqi fitoi përkrahjen e masës veç për arsyen e çështjes së Kosovës, me të cilat i rigjeneroi qelizat nacionaliste serbe, të cilat sot e kësaj dite janë të pranishme në masë të madhe ndër serbët e sotëm dhe presin një Millosheviq tjetër t’i zgjojë. Ai plotësoi egon e vet të sëmurë për fuqi dhe pushtet, pa menduar pasojat që do të pësonte si shtet.
Politikat dhe lojërat që luhen sot në Ballkan e kanë të njëjtin drejtim, por kësaj radhe në vallen serbe janë të përfshirë edhe vëllezërit e tyre rusë me moton e tyre “bashkimi bën fuqinë”… Janë rusët ata, që kësaj radhe luajnë rolin e Millosheviqit të bashkuar me sindromin nacionalist serb, por ama politika mafioze dhe të rrezikshme për gjithë botën, jo veç për Ballkanin. Përderisa këta politika të rrezikshme i kemi dhuratë pak nga agonia jonë dhe pak nga Unioni Evropian me faktin se ai shfaqet tepër pasiv në rrafshin e politikave të jashtme, SHBA-të edhe kësaj radhe vazhdojnë ta kenë në fokus Ballkanin dhe ndikimet serbo-ruse, të cilët gjithmonë sajojnë diçka, si në rastin e trenit të famshëm ortodoks, dhe mëtojnë të shkaktojnë probleme me perimetër të shkurtër, por që mund të marrin përmasa të mëdha. Ashtu siç theksonte edhe Richard Holbrooke “Millosheviqi zgjidhjen e problemeve të vogla e bënte duke shkaktuar probleme më të mëdha”. Treni(problemi i vogël), simptom ky i një paralajmërimi të sindromit nacionalist serb dhe azganllëkut rus, me parollën “unë mundem në Kosovë të jem kur t`më kujtohet, sepse në logjikën time të sëmurë serbe në kombinim fatal me atë ruse, unë të posedoj”, parullë me veprime jo të hijshme që të ngacmojnë ndjenjat kombëtare në këtë shekull dhe të bëjnë që në këmbë të nisesh nga fundi i botës dhe t’u dalësh zot trojeve kombëtare për faktin se nuk guxon as te shkelë këmba e një serbi që mendon se me dhunë dhe ego të sëmurë mund ta merr atë tokë shqiptare.
Politikat globale fatkeqësisht kanë filluar të ndoten nga sundimtarë, të cilët janë të prirë për dominim me dhunë dhe pa sens për politikbërje. Kohë këto, ku vështirë mund të bësh diferencimin mes mafies dhe shtetit. Me shfaqjen e trenit, arrestime pa bazë dhe mënyra tjera kanë filluar të konturohen në horizont. Aktualja është kjo e fundit me trenin rus të mbushur nga zyrtarë serbë, të cilët e kanë të ndaluar të shkelin tokën e Kosovës, ata vijnë si azganë dhe nuk japin pesë pare a e cenojnë apo jo sovranitetin e Kosovës. A erdhi treni për të na paralajmëruar se tash serbët janë më të fortë me vëllezërit rusë?A erdhi treni për të na pyetur: Ku i keni udhëheqësit tuaj?
Kjo situatë kaotike, në të cilën gjendet Kosova sot, është sihariq nga elita politike, e cila më shumë vuan për të dalë në fotografi dhe të bëjë politikë madhore në facebook, se sa t’u qaset me seriozitet problemeve dhe të ndërmarrë hapa vendimtarë për të mirën e vendit dhe mirëqenien ekonomike, politike dhe shoqërore të popullit kosovar. Krerët politikë, kryetarët e partive politike, dhe Presidenti bëjnë gara në facebook se kush është më patriot, më trim, se kush e ndali trenin famëkeq të ortodoksizmit shovinist, megjithatë harrojnë se ndalimi i këtij treni është si të shkosh me shoshë për ujë, e nesërmja mund të gdhijë me pizgauera, tanske, autoblinda, aeroplanë luftarakë, paramilitarë të çakërdisur… Po të udhëhiqej shteti nga facebook , atëherë s`do kishim nevojë për një president, pasi secili nga ne do të ishte president më vete dhe shtet më vete. Megjithatë, ne si popull, e kemi dëshmuar historikisht se dimë t’i dalim zot vatanit, populli shqiptar ka lindur gjithmonë burra, që për komb e atdhe kanë sakrifikuar gjithçka, familjen, pasurinë dhe jetën. Tjetër gjë është, se nuk dimë të veprojmë në liri, i varim shpresat në forca të errëta, që për lajtmotiv të vetëm kanë pasurimin e vetvetes dhe sojit e sorollopit të vet. Si popull ndër shekuj në udhëkryq, për synim mbijetese, kemi mëtuar gjithmonë të mbështetemi diku, e kemi provuar me të gjithë, por na ka dalë keq dhe i vetmi shtet, tek i cili kemi gjetur mbështetje të plotë janë SHBA-të dhe nuk guxojmë në asnjë mënyrë ta humbasim këtë mbështetje për hir të forcave të errëta ndër radhët tona, njëherë e përgjithmonë duhet të marrim guximin dhe me zgjuarsi t’i japim fund kaosit që mbretëron.
Nga Gjyla Çeliku
Kurti mori pjesë në përurimin e Bibliotekës së re në Komunën...
Ronaldo vazhdon të thyejë rekorde
Sveçla: Lufta ndaj krimit të organizuar nuk ka alternativë, ...
AVONET kërkon nga Komuna e Prishtinës anulimin e aktivitetit...
Osmani uron Republikën e Surinamit me rastin e Ditës së Pava...
Drita po bën “dritë” këtë sezon në elitën e futbollit kosova...