Prishja e koalicioneve shmang krizën eventuale

09:17 | 30 Qershor 2017
Arbresh.info

Analisti politik Imer Mushkolaj ka bërë me dije se, pas certifikimit të rezultateve, koalicionet parazgjedhore mund të prishen. Ai ka deklaruar se një gjë e tillë mund të ndodhë për shkak se këto koalicione nuk janë parimore.

Në këtë intervistë dhënë gazetës “Epoka e re”, ai ka treguar se kjo do të mund shmangte krizën eventuale politike. “Ashtu siç janë krijuar, pa parime e në mënyrë të improvizuar, koalicionet edhe mund të zhbëhen. Kjo do të krijonte mundësi që kriza eventuale të zgjidhej. Kosova nuk e ka luksin të organizojë zgjedhje sa herë që dikush nuk mund t’i përmbushë apetitet e veta për t’u bërë kryeministër ose pjesë e qeverisë”, ka thënë Mushkolaj.

Ai ka deklaruar se subjektet politike duhet të sillen përgjegjshëm karshi situatës dhe koalicioneve të ardhshme. Mushkolaj ka vlerësuar se Qeveria e re do të ishte mirë të formohej nga një koalicion i gjerë për ta neutralizuar ndikimin e Listës Serbe. “Nuk është problem krijimi i qeverisë me dy-tre numra më shumë ose më pak. Kjo nuk është çështja thelbësore. Shumë më e rëndësishme është se çfarë qeverie do të krijohet. Një koalicion qeveritar i shumicës së thjeshtë, i varur nga Lista Serbe, rrjedhimisht Beogradi, nuk është i duhuri për Kosovën për të marrë vendime të rëndësishme. Një koalicion më i gjerë do të bënte që ky subjekt politik të neutralizohej”, është shprehur ai. Ndër të tjera, Mushkolaj ka treguar edhe si do të mund ta bënte qeverinë e re, kandidati për kryeministër i koalicionit PAN, Ramush Haradinaj. “Ramush Haradinaj edhe mund ta sigurojë ndonjë votë më shumë. Në Kosovë njihet fenomeni i kontrabandimit, ‘peshkimit’ të deputetëve, për përfitime materiale. Pra, deklaratave të subjekteve politike se nuk do t’ia bëjnë assesi votat Haradinajt nuk është për t’iu besuar, ngase ka nga to që në të kaluarën kanë dëshmuar se nuk e mbajnë fjalën”, ka thënë Mushkolaj, duke shtuar se kjo legjislaturë do të jetë më kualitative sesa ajo e kaluara.

“Në Kuvend do të ulen emra të rinj deputetësh, të cilët me një punë serioze mund të ndryshojnë shumëçka në institucionin përfaqësues të popullit. E rëndësishme është që ata të vazhdojnë të mbeten konsistentë në qëllimet e veta. Kjo do të sjellë një qasje të re të punës në Kuvend”, ka thënë Mushkolaj.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme