Qendra e Politikave Evropiane (EPC) me seli në Bruksel vlerëson se Kosova mund të fitojë statusin e kandidatit për anëtarësim në Bashkimin Evropian, edhe pse nuk është pranuar nga të gjitha shtetet e BE-së, sipas “modelit” të anëtarësimit në UEFA dhe disa organizata të tjera.
EPC, analizat e së cilës ndiqen nga Komisioni Evropian dhe institucionet e tjera të BE-së, në “dokumentin për diskutim”, thekson se qëllimi i Prishtinës për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim dhe hyrje në BE vazhdon të jetë i “dyshimtë”.
Arsyeja është, thuhet më tej, kryesisht fakti që pesë shtetet anëtare të BE-së nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, si dhe rezultatet e mangëta të reformave të nevojshme evropiane për sundimin e ligjit, demokracisë efektive dhe ekonomisë së tregut.
Autorët e analizës, megjithatë, konsiderojnë se Marrëveshja për Stabilizim Asociim (MSA), edhe pse Kosova me “fusnotë”e ka nënshkruar me BE-në dhe jo me qeveritë e shteteve anëtare, duke shpjeguar se ajo nuk prejudikon çështjen e statusit, megjithatë është një urë drejt marrjes së statusit të vendit kandidat, sepse Kosova tani merr nga fondet e BE-së për “ndihmë zgjerim”, dedikuar për kandidatët potencial për anëtarësim, shkruan “Zeri”.
Për këtë arsye kjo është “më pak ligjore dhe më shumë çështje politike”, sipas analistes së lartë politike nga EPC-ja, Korina Stratulat dhe kolegëve të saj Zephyr Desu, një student i shkencave politike në Universitetin e Lille-s, dhe Albana Rexha dhe Albana Merja nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike në Prishtinë.
Megjithatë, shtuan ata, “dispozitat ligjore të MSA-së dhe refuzimi i pesë vendeve anëtare të BE-së për të njohur pavarësinë e Kosovës sugjerojnë se perspektiva evropiane e Kosovës deri më tani është e paqartë, me shumë pengesa në atë drejtim”.
“Dokumenti për diskutim” i autorëve të EPC-së nuk përfshin aspektin juridik ndërkombëtar të statusit të Kosovës, por vendosmërinë e pesë vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, duke shtuar se,” ato pesë vende që nuk e njohin Kosovën mund të përdorin veton në rrugën e mëtejshme të Kosovës drejt BE-së, për shkak të arsyeve të tyre të brendshme”.
Ata theksojnë se “Kosova për të kapërcyer pengesat politike, duhet të përdor kanalet diplomatike, duke përfshirë mënyrat bindëse se statusi i kandidatit nuk do të thotë njohje e shtetësisë”.
Përveç rezultateve në zbatimin e reformave evropiane, thonë ata, në lidhje me” çështjen e shtetësisë mund të diskutohet në një fazë të më vonshme në lidhje me procedurat e anëtarësimit në BE, gjatë negociatave”.
Në “dokumentin për diskutim”, thuhet se Komisioni Evropian në një “studim fizibiliteti” për përfundimin e një marrëveshjeje asociimi deklaroi se “Kosova ka perspektivë evropiane” dhe se “mungesa e një pozicion të dakorduar për statusin e Kosovës nuk e ndalon BE-në për t’u angazhuar në thelb me Kosovën”, përcjell “Zeri.info”.
Një pengesë e rëndësishme e mosnjohjes së shtetësisë së Kosovës mund të “tejkalohet”, edhe pse neni 49 i aktit themelues të BE-së, Traktati i Lisbonës, në mënyrë të qartë thekson se vetëm një “vend evropian që respekton dhe zbaton vlerat e BE-së dhe është i vendosur që t’i avancojë ato, mund të bëhet një anëtar i Bashkimi Evropian “, vendim i cili duhet të ratifikohet nga parlamentet e shteteve anëtare të BE-së dhe Parlamenti Evropian, si dhe të “adoptohet unanimisht” nga Këshilli i Ministrave të BE-së.
Sepse, siç thonë autorët e analizës, “pranimi i fundit i Kosovës në UEFA mund të ndihmojë për të sqaruar kush janë lojtarët politikë të cilët janë përgjegjës për njohjen e Kosovës”.
Vendimi nga UEFA për të pranuar anëtarësimin e Kosovës ishte vënë në dyshim për shkak se në nenet e saj thuhet se anëtarësimi mund t’i ipet vetëm Federatës së Futbollit të një vendi që Kombet e Bashkuara e kanë njohur si shtet të pavarur.
Por, ata theksojnë se, kreu ligjor i UEFA Alasdair Bell ka thënë se leximi fjalë për fjalë i këtyre udhëzimeve nuk do të kishte kuptim nga pikëpamja ligjore dhe theksoi se Kombet e Bashkuara nuk kanë juridiksion për të njohur shtete, por janë shtetet ato që pranojnë shtetet.
Dokumenti i EPC-së kështu arrin në përfundimin se “Kosova ka hyrë në shumë organizata ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, FIFA, edhe pse se nuk u njoh si shtet nga të gjitha vendet anëtare të tyre”.
Kjo, siç theksohet, “nuk kishte asnjë pasojë për marrëdhëniet bilaterale me shtetet anëtare, nuk nënkupton njohjen (e Kosovës) si shtet nga anëtarët e këtyre organizatave, kurse pesë vende të BE-së që nuk e njohin Kosovën janë anëtarë të këtyre organizatave”.
Gjithashtu, Këshilli i Evropës ka vlerësuar se, “shtetet anëtare, në përputhje me praktikën e tyre kombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare, vendosin mbi natyrën e marrëdhënieve të tyre me Kosovën” dhe arrin në përfundimin se “marrja e statusit të kandidatit për anëtarësim nuk do të thotë se anëtarët e BE-së e njohin Kosovën, sepse ajo çështje i përket kompetencave kombëtare”.
Barku i madh shkakton osteoporozën edhe tek meshkujt
Njëqind vjet më parë u ndërtua autostrada e parë në botë, a ...
Apple do ta mbajë kamerën telefoto periskop ekskluzivisht pë...
Rrëzimi i avionit në Lituani ngre dyshime se mund të jetë i ...
Ismajli vazhdon paraqitjet e jashtëzakonshme në Serie A
“M’ka pshtu nga goja”, Edi bëhet pishman për ofendimet ndaj ...