Google ADS

Sulm i fundit kibernetik, edhe më i sofistikuar

08:13 | 29 Qershor 2017
arbresh.info

Agjencia evropiane e policisë, Europol tha se sulmi kibernetik i së martës që kishte si objektiv kompani në mbarë botën ishte i ngjashëm me një sulm pengmrrës të sistemeve kompjuterike një muaj më parë që goditi spitalet në Britani.

Drejtori i Europolit, Rob Wainwright, e quaji sulmin një tjetër goditje “serioze pengmarrëse”. Ai tha se kjo kishte ngjashmëri me hakerimin e mëparshëm “WannaCry”, por me “aftësi më të sofistikuara goditëse që synojnë shfrytëzimin e një vargu dobësish”.

Virusi “WannaCry” shkaktoi një valë sulmesh pengmarrëse në spitalet britanike në muajin maj, duke bërë që spitalet të devijonin ambulancat dhe të anulonin operacionet. Ekspertët përfundimisht gjetën një mënyrë për të zhbllokuar pengmarrjen, ndërkohë që rreth 300 njerëz paguan shumën e kërkuar për lirimin e sistemeve të tyre kompjuterike.

Sulmi kibernetik të martën shkaktoi probleme në 64 vende, përfshi kompaninë farmaceutike amerikane Merck, gjigandin rus të naftës Rosneft, kompaninë britanike të reklamave WPP dhe grupimin industrial francez Saint-Gobain.

Po ashtu edhe porti më i madh i Indisë për kontenierët ndërpreu punën duke shkaktuar probleme për qeveritë dhe bizneset e prekura. Virusi pengmarrës bllokon sistemet kompjuterike derisa sa viktimat paguajnë një shumë parash.

Problemi në portin Jawaharlal Nehru në Mumbai përfshinte një terminal që kontrollohet nga kompania daneze e lundrimit A.P. Moller-Maersk. Kompania tha dje se virusi po shtrihej edhe nëpër terminalet e disa porteve të tjera.

Ministri për Sigurinë Kibernetike në Australi, Dan Tehan, tha për gazetarët të mërkurën se zyrtarët ende nuk kanë konfirmuar nëse ishte i njëjti virus që goditi me pengmarrje dy kompani australiane, por se të gjitha shenjat deri tani tregojnë se ishte i njëjtë.

Bankat, zyrat qeveritare dhe aeroportet në Ukrainë ishin mes të parëve që njoftuan për sulmin kibernetik.

Një zëdhënës në SHBA tha se Departamenti i Sigurisë Kombëtare, FBI dhe agjenci të tjera po “punojnë me partnerë publikë, privatë të brendëshëm dhe të jashtëm për të reaguar ndaj sulmit dhe për të ofruar informata teknike mbi parandalimin dhe normalizimin e situatës.”

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme