Google ADS

Krasniqi: Vendim skandaloz pezullimi i programit master dhe doktoratës në gazetari

18:22 | 28 Qershor 2017
Arbresh.info

Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) ka pezulluar programin “Gazetari dhe Marrëdhënie me Publikun Prishtinë” në nivelin master dhe të doktoraturës në Universitetin e Prishtinës.

Këtë vendim, ish-shefi i degës së Gazetarisë dhe profesor në këtë departament, Milazim Krasniqi, e ka quajtur skandaloz dhe të pabazuar në realitet.

“Vendimi i agjencisë për pezullimin e programit mastar të shërbimeve tona, i cili në fakt është i akredituar deri në vitin 2019, është vendim skandaloz, është vendim që nuk bazohet aspak në realitetin që ekziston në departamentin tonë, është vendim burokratik i bazuar në letra dhe në paragjykime”, ka deklaruar ai.
Krasniqi shpjegoi se si Këshilli Shtetëror i Cilësisë (KSHC) së Agjencisë së Kosovës për Akreditim (AKA) në fjalë nuk i ka marr parasysh problemet dhe vështirësitë që përballet dega e Gazetarisë, por është marrë vendim i pamatur.

“E vërteta është se ne në kuadër të Fakultetit të Filologjisë kemi edhe mësimdhënës të cilët me konkurs janë të zgjedhur edhe në degën e letërsisë, degën e gjuhës, por edhe në degën e gazetarisë, pra, japin mësim në tre departamenti sepse jemi njësi akademike. Por agjencia këtë nuk e ka marr parasysh. Ata kërkojnë që secili program t’i ketë nga tre mësimdhënës, ndërsa në të vërtetë nuk e marrin parasysh realitetin që ne programet i kemi të përziera në kuadër të fakultetit, kjo është e para.E dyta, politikat restriktive këto vite e kanë penguar pranimin e stafit të ri, sepse në fakultetin tonë janë së paku pesë profesorë që janë pensionuar dhe nuk është shpallur konkurs për ta, është edhe një rast që ka vdekur një profesoreshë dhe nuk është përtëri konkursi për të. Pra, përballemi edhe me probleme të kësaj natyre, sepse në njërën anë është proklamuar kërkesa për numër më të madh të stafit nga agjencia, ndërsa në anën tjetër nga qeveria është penguar dhe pengohet pranimi i stafit të ri, kjo është politikë kontradiktore ndërmjet agjencisë, ministrisë, qeverisë për të cilën universiteti në përgjithësi, por veçanërisht Fakulteti i Filologjisë është duke i vuajtur pasojat”, ka thënë Krasniqi me tutje për lajmi.net.

Sipas matjeve që ka bërë Departamenti i Gazetarisë, sipas profesorit, Gazetarisë e ka shkallen më të lartë të punësimit nga të gjitha departamentet e Universitetit të Prishtinës.

“Mbyllja e programit të studimeve mastar të gazetarisë është skandaloz, sepse sipas përformancës që ne e kemi mat, Departamenti i Gazetarisë e ka shkallen më të lartë të punësimit nga të gjitha departamentet e Universitetit të Prishtinës. E dyta, po të shikoni ndikimin e mediave dhe gazetarisë në jetën kulturore dhe shoqërore të Kosovës absolutisht rritja e këtij ndikimi të mediave është rezultat i punës së Departamentit të Gazetarisë, sepse këto vite kemi nxjerr në tregun e punës gazetarë profesionist shumë të suksesshëm të cilët janë shumë të nevojshëm për shoqërinë edhe për informimin”, vlerësojë ai.

Prandaj, Krasniqi thotë se “në vend se të stimulohej zhvillimi i mëtejshëm i departamentit duke e shndërruar në fakultet të komunikim dhe gazetarisë, agjencia ka marr vendim për suspendimin e programit tonë të masterit dhe programin e studimeve doktorate që është poashtu një vendim skandaloz. Në programin e studimeve doktorate ne kemi të angazhuar edhe profesor nga njësit e tjera akademike si nga fakulteti i filozofisë, ekonomisë e kështu me radhë.”

Sipas Krasniqit, fajtor për gjendjen e krijuar janë hierarkia e dështuar politike dhe universitare.
“Momentalisht qeveria është pothuajse inekzistente, ka qenë një ministër i dështuar në politikat e arsimit universitar, është një menaxhment në rektorat i cili është totalisht i paaftë për të menaxhuar situatën për të cilin, hiç më larg se sot, ministri në detyrë ka thënë se rektori është i pa aftë, i pa zoti për të menaxhuar”, shprehet ai.

Profesori në Departamentin e Gazetarisë, thotë se planifikonë t’i shkruaj një letër Blerim Rexhës, kryetarit të agjencisë, “t’ia sqaroj këto fakte, ta informoj publikun për pasojat dhe dëmet që i shkaktohen jetës kulturore shoqërore, komunikimit, informimit për më tepër nuk di çfarë mund të bëjë.”
“Jemi në një situatë shumë të rëndë në mënyrë të pamerituar, në vend që të vlerësohej puna që bëhet në universitetin tonë, ata po na ndëshkojnë edhe kjo është diçka më të vërtetë e dhimbshme”, potencoi Krasniqi.

Ai tha se pret që studentët dhe komunitetit i gazetarëve të reagojnë, të hapin debat për këtë punë.
“Situata është edhe paradoksale në njërën anë favorizohen disa universitete provinciale, të cilat sa po janë themeluar dhe nuk kanë qëndrueshmërie, favorizohen kolegjet private, ndërsa nga ana tjetër është shpallur një luftë e egër frontale edhe mediale edhe politike edhe nga OJQ-të universiteti më të rëndësishëm më të madh Universitetit të Prishtinës dhe departamenteve të tij”, tha në fund Krasniqi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme