Google ADS

Ministrat e Bashës vazhdojnë detyrën deri në qeverinë e re të Ramës

09:50 | 28 Qershor 2017
Arbresh.info

Ministrat teknikë të PD-së janë akoma në detyrë pavarësisht se Rama korri fitore me 74 mandate në të gjithë vendin.

Pavarësisht se gjatë fushatës Rama deklaroi se do t’i hiqte nga detyra sapo të merrte mandatin e dytë, kjo gjë nuk po ndodhi.

Të kontaktuar nga “Gazeta Shqiptare” ministrat teknikë deklarojnë se ata janë dekretuar nga Presidenti i Republikës dhe do të respektojnë nenin 106 të Kushtetutës, që do të thotë se do të rrinë deri në mandatimin e qeverisë së re.

Ministrja e Arsimit, Mirela Karabina u shpreh për “GSH”: “Ne jemi në detyrë. Vazhdojmë punën. Jemi dekretuar nga presidenti dhe kaq”. Po në të njëjtin mendim ishte edhe ministrja e Punës dhe Çështjeve Sociale, Xhulieta Kërtusha. “Ne do të zbatojmë Kushtetutën, nenin 106”, – tha ajo.

E pyetur se kjo do të thotë që do të vijojë të qëndrojë në detyrë deri në mandatimin e qeverisë së re, Kërtusha pohoi: “Po, patjetër”. Në nenin 106 të Kushtetutës përcaktohet: “Kryeministri dhe ministrat janë të detyruar të qëndrojnë në detyrë deri në formimin e Këshillit të Ministrave pasardhës”.

Emërimi i 6 ministrave teknikë në qeverinë e drejtuar nga Edi Rama ishte pjesë e marrëveshjes së dakordësuar më 18 maj, mes Ramës e Lulzim Bashës, për të garantuar një proces zgjedhor të ndershëm.

Pikërisht pas propozimeve që kryeministrit Rama i erdhën nga kreu i opozitës Lulzim Basha, emrat u dërguan dhe u dekretuan edhe nga presidenti Bujar Nishani më 22 maj. /albeu.com/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme