DASH: Kosova ka rritur përpjekjet për eliminimin e trafikimit me njerëz

18:26 | 27 Qershor 2017
Arbresh.info

Qeveria e Kosovës nuk i përmbush plotësisht standardet minimale për eliminimin e trafikimit me njerëz, por po bën përpjekje të rëndësishme në këtë drejtim, thotë Departamenti amerikan i Shtetit në raportin vjetor për trafikimin e qenieve njerëzore.

Raporti thekson se Qeveria e Kosovës, krahasuar me periudhën e mëparshme raportuese, ka identifikuar më shumë viktima dhe ka ndjekur dhe dënuar më shumë trafikues.

“Qeveria identifikoi 36 viktima të trafikimit, krahasuar me 28 në vitin 2015”.

“Zyrtarët e zbatimit të ligjit kanë kryer hetime proaktive, përfshirë hetime të përbashkëta me Inspektoratin e Punës”, thekson raporti.

Megjithatë, vijon ai, gjykatësit kanë shqiptuar dënime të buta për trafikuesit dhe prokurorët kanë vazhduar t’i degradojnë rastet e trafikimit në krime më të vogla.

“Siç është raportuar gjatë pesë vjetëve të kaluar, Kosova është burim dhe vend destinacioni për burra, gra dhe fëmijë që i nënshtrohen trafikimit seksual dhe punës së detyruar”, thekson raporti.

I njëjti vë në pah se trafikantët i rekrutojnë viktimat me premtime të rreme për martesë ose oferta pune në kafene, klube nate dhe restorante.

Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit thekson se shumica e viktimave të trafikimit seksual në Kosovë janë vajza.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme