Zgjedhjet në Shqipëri: Votuan rreth 45 për qind e qytetarëve

07:13 | 26 Qershor 2017
Arbresh.info

Në Shqipëri ka përfunduar procesi i votimeve, derisa është shënuar nivel i ulët i daljes në zgjedhje.

Sipas Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, në shkallë vendi pjesëmarrja ka qenë rreth 44 përqind.

Sipas të dhënave paraprake të KQZ-së, rezulton se Kukësi është i vetmi qark ku kanë votuar më shumë se gjysma e personave më të drejtë vote, ndërsa Vlora është qarku me pjesëmarrjen më të ulët, rreth 36 përqind.

Kështu, në Kukës kanë votuar 53.21 e votuesve, në Berat 41.27 përqind, në Dibër, 43.75 përqind, Elbasan 44.58 përqind, Fier, 49.31 përqind, Gjirokastër 41.53 përqind, Korçë 47.19 përqind, Lezhë 44.55 përqind, Shkodër 40.85 përqind, Tiranë 47.85 përqind dhe Vlorë 35.9 përqind.

Në garë për zgjedhjet parlamentare po marrin pjesë 18 forca politike, të cilat konkurrojnë me vete, dhe jo përmes koalicioneve. Partitë kryesore janë ato që kanë patur të drejtën dhe të emërimeve të 720 komisionerëve zonal dhe rreth 37 mijë të tjerëve që do të jenë në qendrat e votimit.

Zgjedhjet e sotme po ndiqen nga mbi 5 mijë vëzhgues vendas dhe ndërkombëtar. Misioni ndërkombëtar i monitorimit përbëhet nga 330 vëzhgues nga 43 vende, nga të cilët 255 vëzhguesë afatgjatë dhe afatshkurtër të vendosur nga ODIHR-i, 36 parlamentarë dhe punonjës nga Asambleja e OSBE-së, 25 nga Asambleja parlamentare e Këshillit te Europës, dhe 11 nga parlamenti evropian.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme