Toleranca ndërfetare në Kosovë ka qenë dhe mbetet pjesë përbërëse e etnokulturës dhe sjelljes së përditshme të njerëzve që jetojnë në këtë vend, vlerësojnë njohësit e fenomeneve sociale religjioze dhe ekspertët e religjionit.
Sipas tyre, pavarësisht që shumica e shqiptarëve që jetojnë në Kosovë dhe jashtë saj, i takojnë besimit islam, ata së bashku me komunitetet tjera fetare në vend, vazhdojnë ta ruajnë bashkëjetesën e harmonishme ndërfetare. Por, megjithatë, siç thonë ata, tashmë ekzistojnë shenja të shpërfaqjes të një mosdurimi brenda për brenda entitetit fetar islam.
Ismail Hasani, profesor i Sociologjisë së religjionit, thotë për Radion Evropa e Lirë se në Kosovë, por edhe në viset tjera të banuara me shqiptarë, janë në përhapje e sipër disa rryma dhe sekte, të cilat kanë shenja të devijimit nga islami tradicional.
“Këto forma të shpërfaqjes së devijimit nga islami tradicional ngacmojnë komunitetin fetar islam që u përmbahet parimeve fundamentale të sunitëve, e që është rryma kryesore konfesionale e islamit. Atëherë, mund të paraqiten elemente të mosdurimit, të cilat nganjëherë janë edhe më të theksuara se sa me përkatësitë tjera konfesionale”, thekson profesor Hasani.
Mendim të ngjashëm shpreh edhe Xhabir Hamiti, profesori në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë.Duke folur për Radion Evropa e Lirë, ai thekson se komuniteti mysliman në Kosovë, duhet të jetë tejet i kujdesshëm që të mos bjerë nën ndikimin e rrymave ideologjike dhe politike fetare të mbështetura edhe financiarisht nga disa vende të Lindjes së Mesme, e veçanërisht nga Gadishulli Arabik.
Rrymat e tilla, sipas tij, nuk kanë asgjë të përbashkëta me ambientin, traditat dhe zakonet e shqiptarëve myslimanë të Kosovës.
“Po u hapëm derën e lëvizjeve puritane, jo alternative, të interpretimit të fesë në formë të ngurtë, atëherë do të krijojmë probleme brenda vetë komunitetit mysliman. Qëllimi i tyre është që të krijohet një turbullirë ose një lloj paqartësie, për t’i prishur radhët e vetë komunitetit mysliman, në rend të parë. Pastaj, kjo do të shtrihej dhe do të shkaktonte probleme edhe në rrafshin gjithëkombëtar. Do të thotë, ky është një rrezik, i cili po nuk u ndërpre ose parandalua, mund të ketë pasoja të këqija”, vlerëson Hamiti.
Por, a kanë ndikuar ngjarjet në Lindjen e Mesme, sulmet terroriste në botë, e sidomos në Evropën perëndimore, si dhe paraqitja e rrymave fetare, të cilat devijojnë nga islamin tradicional, që në opinion të krijohet shenja të islamofobisë apo neverisë ndaj islamit si religjion?
Profesor Hasani shpreh mendimin se individët apo komunitetet që kanë probleme të identitetit apo që janë të margjinalizuara në kontekstin shoqëror, mund të jenë potenciale për ta shprehur islamofobinë.
Por, sipas tij, në diskursin formal dhe joformal të qarqeve intelektuale, por edhe në opinionin e përgjithshëm, në përgjithësi nuk ka shenja të neverisë ndaj besimit islam. Megjithatë, sipas tij, ka paraqitje sporadike të njerëzve që nuk dinë ta interpretojnë islamin dhe nuk i kuptojnë problemet e religjioneve.
“Islamofobinë mund ta shpërfaqin në mënyrë deklarative vetëm injorantët, ata që nuk e njohin asnjë doktrinë fetare. Njerëzit nuk kanë pse të frikësohen nga islami ose nuk kanë arsye ta urrejnë islamin. Por, kanë arsye tepër të thellë që të urrejnë njerëzit si Lavdrim Muhaxheri, që presin koka njerëzish në emër të Allahut ose kriminel të tjerë, që për fat të keq, rekrutohen edhe nga mjedisi ynë etnokulturor kosovar. Por, kurrsesi ta kultivojnë ndjenjën kundër islamit, sepse islami është vetëm njëra prej feve tradicionale monoteiste botërore”, vlerëson Hasani.
Profesor Hamiti, shpreh mendimin se depërtimi i rrymave që interpretojnë fenë islame në mënyrë të ngurtë, i ka frikësuar njerëzit dhe ka krijuar te ta perceptim të gabuar mbi këtë besim.
“Këtu te ne dhe te shqiptarët në përgjithësi, ky aversion është krijuar dhe po krijohet. Nëse opinioni jonë i gjerë vazhdon që gjithmonë t’i përdorë shprehjet ‘islami terrorist’, ‘terroristët myslimanë’ dhe nuk e bën dallimin ndërmjet myslimanit të mirëfilltë, i cili e praktikon fenë në bazë të devotshmërisë, si dhe personit tjetër që bën akt terrorist në emër të islamit, atëherë normalisht që mund të krijohet një ngritje eislamofobisë”.
“Duhet ta kenë parasysh të gjithë se nuk mundet me qenë një mysliman terrorist dhe një terrorist mysliman, në kuptimin e plotë të fjalës. Pra, duhet të bëhet de-islamizimi i terroristëve”, thotë profesor Hamiti.
Sido që të jetë, sociologu Hasani, thekson se çdo religjion duhet të trajtohet dhe shpjegohet ashtu siç është, me të mirat që ka, por njëkohësisht edhe me defektet, të cilat mund të shpërfaqen gjatë rrugëtimit, në trajtat e ndryshme të ekstremizmit fetar, të cilat jo rrallë përfundojnë edhe si ideologji ekstreme që nuk dallojnë prej ideologjisë ekstreme fashiste.
E dashura i hedh aksidentalisht në kosh 682 milionë euro, Ba...
Teknologjia e dobishme e pagesave “Tap to Pay” bëhet e dispo...
Kurti mori pjesë në shfaqjen e dokumentarit “Ajo’...
Bellinhgamit i dhurohet çmimi “Lojtari më i mirë i sezonit n...
Xhemaili i AAK-së: Presidentja as edhe një fjalë për linçimi...
Përplasje e fortë mes Gresës dhe Xhenetës, shkak pranku i An...