Policia e Shkodrës ka goditur dy raste të blerjes së votës, duke ndaluar në kushtet e flagrancës shtatë persona.
Në vendin e quajtur Guerrile, policia ka ndaluar një 48-vjeçar si dhe katër personat që e shoqëronin pasi kishte sinjalizime se me një mjet të KESH po shpërndanin para. Nga kontrolli i mjetit u gjetën çeqe dëmshpërblimesh të cilat sipas të ndaluarve janë dëmshpërblimet që KESH po u jep familjeve të përmbytura në zbatim të VKM-së së qeverisë.
Në një tjetër rast sërish policia e Shkodrës ka ndaluar një doganier në doganën e Vermoshit, Izmir Bushaj, i cili është kapur me një listë votuesish dhe një sasi të konsiderueshme parash, 48 kartmonedha me prerje 2 mijë lekëshe. Së bashku me të policia ndaloi edhe Xhyher Bushajn, të dy banues në fshatin Kullaj.
Policia e Shkodrës bën të ditur se janë nën gjurmim edhe raste të tjera të shitblerjes së votës dhe është shumë pranë arrestimit të personave përgjegjës. Ndërkohë drejtori i policisë së shtetit gjatë instruktazhit për ditën e votimit me efektivë të komisariatit nr. 1 në Tiranë, u bëri thirrje vartësve që të harrojnë bindjen e tyre politike gjatë, para, gjatë dhe pas procesit të votimit.
Çako deklaroi se është ngritur edhe një task force për koordinimin e veprimeve të policisë ku janë të pranishëm edhe përfaqësues të misioneve ndërkombëtareqë asistojnë vendin tonë. Angazhim të posaçëm për ditën e zgjedhjeve dhe gjatë procesit të numërimit ka dhe Prokuroria e Përgjithshme.
Kryeprokurori Adriatik Llalla në një komunikim me vartësit u ka kërkuar angazhim maksimal dhe bashkëpunim me institucionet ligjzbatuese si dhe orientimin e saktë dhe të shpejtë të rasteve që mund të shfaqen.
Në gatishmëri të plotë është edhe task forca e krijuar nga Këshilli i Ministrave e drejtuar nga zv.kryeministrja Ledina Mandia, e cila ka vënë në dispozicion edhe një numër telefoni, ku subjekte elektorale mund të denoncojnë apo raportojnë parregullsitë, ndërsa për qytetarët është vënë në dispozicion një portal elektronik në faqen zyrtare të kryeministrisë.
T’i mbijetosh dimrit me vitaminën D
Tiranë/ Policia operacion kundër lojërave të fatit, kapen di...
OKB: Viti 2024 më vdekjeprurësi për punonjësit e ndihmave hu...
Deklaratat befasuese të Oltës dhe Milaimit rreth afërsisë me...
KEK-u deklaron se performanca e këtij viti është dukshëm më ...
Sara apo Edi: Cili nga këta dy banorë e ngjalli Drilonin në ...