Zbatimi i Ligjit për sigurime shëndetësore pret Qeverinë e re

10:22 | 24 Qershor 2017
Arbresh.info

Mbledhja e premiumeve (parave) për Sigurimet Shëndetësore, nuk do të fillojë as nga muaji korrik i këtij viti, siç ishte paralajmëruar nga Qeveria në largim e Kosovës. Kjo çështje është shtyrë të nisë pas formimit të Qeverisë së re, e cila pritet të bëhet nga Kuvendi i dalë nga zgjedhjet parlamentare të 11 qershorit.

Pas votimit të mocionit të mosbesimit dhe rënies së Qeverisë së Kosovës sindikalistët shëndetësorë e kishin cilësuar nisjen eventuale të mbledhjes së premiumeve si të kundërligjshme. Po ashtu, edhe Oda Ekonomike Amerikane e kishte kundërshtuar nisjen e mbledhjes së premiumeve, pa plotësimin e kritereve ligjore.

Në anën tjetër, nga Ministria e Shëndetësisë ishte bërë e ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për fillimin e mbledhjes së premiumeve nga ana e qytetarëve, si hapi i parë i zbatimit të Ligjit për Sigurime Shëndetësore.

Por, pas rënies së Qeverisë, zyrtarët në Ministrinë e Shëndetësisë thonë se kjo çështje i ka mbetur Qeverisë së re, që të japë dritën e gjelbër për fillimin e mbledhjes së premiumeve, pasi që Qeveria në detyrë nuk do ta marrë një hap të tillë.

Izet Sadiku, zëvendësministër në Ministrinë e Shëndetësisë, i ka thënë Radios Evropa e Lirë se mbledhja e parave nga qytetarët nuk do të fillojë nga 1 korriku, ndonëse janë bërë gjitha përgatitjet.

“Ne kemi punuar që t’i bëjmë të gjitha përgatitjet e nevojshme, por mbetet që vendimin ta marrë Qeveria e re e Kosovës. Tash kjo Qeveri është në detyrë, dhe besoj që pas 11 qershorit, Qeveria e re do të marrë vendimin, ngase kjo Qeveri në detyrë nuk e merr vendimin që të fillojë mbledhja e premiumeve nga 1 korriku siç është paraparë”, ka thënë Sadiku.

Nga Sindikata e punonjësve të shëndetësisë vlerësohet se nuk janë plotësuar kushtet e parapara me ligj për të filluar me mbledhjen e parave për sigurimet shëndetësore.
Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë ka thënë se kanë mbetur edhe shumë çështje brenda ligjit që duhet sqaruar deri në nisjen e mbledhjes së parave nga ana e qytetarëve.

“Qeveria e re, sapo të formohet, duhet t’i marrë obligimet e reja, që kanë qenë probleme të vjetra. T’i bëjë ndryshimet që janë vërejtur si defekte. Nëse do të fillonte tash, kjo nuk do të ishte mbledhje e premiumeve për sigurime shëndetësore, por marrje e parave nga qytetarët, pasi që do të ishte problematik destinimi i atyre të hollave që do të mblidheshin”.
“Ligji i përcakton mekanizmat. Do të duhej te bëhej edhe lista e çmimores. Do të duhej që 70 për qind e qytetarëve të pajisen me kartela të sigurimeve shëndetësore e shumë çështje tjera që janë paraparë me lig, e të cilat nuk janë përmbushur”, ka shpjeguar Syla.

Përndryshe, sipas Sylës, nëse do të fillohej tash me mbledhjen e parave (premiumeve), do të mund të inicioheshin dhe procedura e procese gjyqësore.

Edhe Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë, në disa raste, ka kërkuar nga Qeveria e Kosovës që të pezullojë implementimin e Ligjit për Sigurime Shëndetësore, përkatësisht mbledhjen e premiumeve të sigurimeve shëndetësore.

Arian Zeka, Drejtor i Odës Ekonomike Amerikane, ka thënëpër Radion Evropa e Lirë se arsyeja pse kanë kërkuar nga Qeveria në largim të pezullojnë Ligjin për sigurime shëndetësore, është mospërmbushja e kritereve të parapara me ligj.
“Ligji e thotë në mënyrë të qartë se Ligji i Sigurimeve Shëndetësore mund të fillojë të zbatohet vetëm pas përmbushjes së kritereve të parapara”, ka thënë Zeka.

Po ashtu, Oda Amerikane i ka sugjeruar edhe Qeverisë së ardhshme që procesi i plotësim-ndryshimit të këtij Ligji të bëhet përmes një dialogu gjithëpërfshirës me aktorët e tjerë, që do të mundësonte implementim sa më efikas të dispozitave të tij.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës miratoi vitin e kaluar Rregulloren për Menaxhimin Financiar të Fondit të Sigurimeve Shëndetësore dhe Statutin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore, duke planifikuar ndarjen e 17 milionë eurove për të punësuarit në sektorin publik dhe rreth 14 milionë euro për sektorin privat.

Ekspertët kanë vlerësuar se për një vit do të mblidhen rreth 60 milionë euro derisa, me kalimin e viteve dhe futjen në sistem të të gjithë kontribuesve, buxheti mund të shkojë edhe deri në 100 milionë euro në vit.

Ligji për Sigurime Shëndetësore është hartuar qysh në vitin 2004, kurse ishte miratuar në vitin 2007. Por, pas rekomandimeve të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, ai ishte tërhequr dhe nuk kishte hyrë në fuqi për shkak të implikimeve buxhetore.

Qytetarët mendojnë se fillimi i zbatimit të Ligjit për sigurime shëndetësore është shumë i nevojshëm. Mentor Hajrizi, qytetar nga Prishtina thotë se si projekt është vonuar.
”Unë mendoj që sigurimet shëndetësore janë të nevojshme për njerëzit, por ky projekt ka filluar shumë herët dhe tashmë e kemi humbur edhe besimin që do të realizohet”, thotë Hajrizi.

Sidoqoftë, vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për fillimin e mbledhjes së premiumeve për Sigurime Shëndetësore ka ardhur pas kërkesës së bërë kohë më parë nga Këshilli Përgatitor për Themelimin e Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. /REL

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme