Aderimet e reja, trampolinë për qëllime të caktuara

10:08 | 24 Qershor 2017
Arbresh.info

Aderimet e reja të gazetarëve dhe përfaqësuesve të shoqërisë civile që iu bashkëngjiten partive në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, ishin konsideruar si pozitive në të cilën do të sillnin frymë të re brenda subjekteve politike.

Por, e gjithë kjo ka ndryshuar pas mbajtjes së zgjedhjeve. Sëfundi në deklaratat e tyre deputetët e rinj (aderuesit) të partive politike përjashto PDK-në kanë thënë se nëse subjektet përkatëse të tyre bëjnë koalicion me këtë të fundit ata do të largohen nga partitë.

Lidhur me këtë, analistët politik kanë mendime të ndryshme rreth asaj nëse aderimet e reja kishin pretendime personale apo qëllime progresive.
Politologu Leon Duhanaj mendon se subjektet politike, shpeshherë, nxitohen rreth prurjeve të reja brenda partisë, pasi që sipas tij, ka të atillë që e shfrytëzojnë partinë si trampolinë, për tu keqkuptuar në pushtet.

“Partitë politike, shpeshherë ne valën elektorale, nuk analizojnë shumë në raport me njerëzit që u ofrohen. Ato bien preh e bindjeve, që të njëjtit do t’u sjellin elektorat të ri. Në fakt në shumicën e rasteve del të jetë e kundërta. Disa nga të ashtuquajturit prurje të reja, i shfrytëzojnë partitë si trampolinë,për t’u keqkuptuar në pushtet. Për ta realizuar këtë qëllim, disa nuk zgjedhin as metoda e as mjete. Ata vazhdojnë rrugëtimin e tyre, përderisa partitë në ndërkohë humbin njerëz të çmueshëm nga radhët e tyre si pasojë e informimit që u bëhet dhe zhgënjimit që ndjejnë në raport me parashutistet në fjalë”, ka thënë , Duhanaj për Arbresh.info
Njëjtë mendon edhe sociologu, Fadil Maloku, profesor në Fakultetin Filozofik.

Sipas tij, aderimet nuk mund të bëjnë ndonjë ndryshim brenda partive të mëdha politike, pasi që këto parti nuk lënë hapësirë për mendime e as gjykime”, jashtë itinerarit dhe interesave” të grupeve statusore në hierarkinë e partive.

“Kujtoj që më shumë janë blovë, se sa ndonjë veprim i paramenduar mirë dhe në suaza të një gjykimi të koordinuar mirë politik. Në anën tjetër, kemi makinerinë partiake e cila nuk lë mendime e as gjykime”jashtë itinerarit dhe interesave” të grupeve statusore në hierarkinë e partive. Pra, aderimet, nuk besoj që do mund të bëjnë ndonjë ndryshim brenda partive të mëdha politike, pa marr parasysh numrin e votave momentale që shprehin reitingun e tyre në publik”, ka deklaruar Maloku.

Më tej Maloku theksoi se duhet presion qytetar që të bëhen ndryshime.

“Ndryshimet, vijnë nga presioni qytetar, nga grupet e shoqërisë civile që interes e kanë instalimin e njëmendët të demokracisë, e me të edhe të transparencës, llogaridhënies, dhe përgjegjësisë”, është shprehur ai për portalin Arbresh.info.

Por, ndryshe mendon analisti Imer Mushkolaj, sipas tij shumë më parimorë tingëllojnë aderimet e reja, sesa zyrtarë partiakë me përvojë.

“Nuk ka asgjë të keqe që të tregosh parimet tua, pa marrë parasysh se cilës parti i je bashkuar. Partitë politike duhet të lejojnë diversitetin e mendimeve, e të mos sillen me logjikën përjashtuese. Shumë më parimorë tingëllojnë aderimet e reja, sesa zyrtarë partiakë me përvojë, për të cilët parimet nuk vlejnë asgjë”, ka thënë Imer Mushkolaj për Arbresh.info./V.Berisha

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme