Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, në një intervistë për Ekonomia Online ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme të 11 qershorit ishin fer dhe demokratike.
Sipas kreut të PDK-së, rezultatet paraprake kanë nxjerrë fitues koalicionin PDK-AAK-Nisma dhe ky vendim i qytetarëve duhet të respektohet nga të gjithë.
Ish-kreu i Kuvendit shprehet i bindur se në pjesën e parë të korrikut do të formohen institucionet e reja për katër vitet të ardhshme, me kryeministër Ramush Haradinaj.
Ai shprehet se nuk është në interes të askujt në Kosovë që të ketë një bllokadë, sikur ajo e vitit 2014, e cila ishte e bazuar në ndjenja të mllefit dhe të revanshizmit.
Sipas rezultateve preliminare, për të formuar qeverinë e re, PAN-i duhet të bëjë koalicion edhe me ndonjërin nga subjektet e tjera, ose me parti të caktuara, si AKR-në, por dhe mund “të peshkojë” disa deputetë.
Por, Veseli mohon se partia që e drejton ka biseduar me individë të caktuar, në mënyrë që të sigurojnë votat për formimin e qeverisë.
“Princip e kemi të bëjmë biseda me parti politike, jo me individë të veçantë, në mënyrë që të krijohet stabilitet politik, stabilitet institucional; në mënyrë që t’i hapet perspektiva ekonomike vendit”.
“Kemi biseda me të gjithë. Bisedat janë të hapura. Ne nuk vendosim vija të kuqe ndaj qytetarëve, kur zgjedhin qytetarët tonë. Si parti ndoshta as nuk mendojmë të jemi në koalicion me faktorë të caktuar, por vija të kuqe ne nuk vëmë; vijat e kuqe janë koncepte të tejkaluara, janë koncepte të cilat nuk kanë të bëjnë me demokracinë e këtij vendi. Është çështje e parimeve programore, a bën koalicion apo nuk bën, e dëshiron dikë, s’e dëshiron. Në kuptimin e dashnisë, njeriu një herë në jetë martohet… Por kjo është politikë”.
Bartësi i listës së PAN-it thotë se nuk kanë biseduar konkretisht me partnerët për ndarjen e posteve. “Ajo çka dihet qartë është se për katër vitet e ardhshme kryeministër do të jetë Ramush Haradinaj. Pastaj do të kemi vendime të cilat do t’i marrim që janë në interes strategjik të këtij vendi”.
Në këtë intervistë për EO, Veseli ka folur edhe për rënien e pjesëmarrjes në zgjedhjet e përgjithshme në zonat që janë konsideruar si “hambarë të votave” për PDK-në, si Skenderaj e Drenasi.
Ai thotë se Drenica është bazamenti i PDK-së dhe se për zgjedhjet lokale që do të mbahen me 22 tetor do të tregohet edhe një herë se në këtë rajon do të fitojnë bindshëm.
“Drenica është simpatike se e ka hequr Serbinë, Drenica është simbol i këtij vendi… Keni parasysh këtë, te Drenica nuk ka ftohje dhe nuk do të ketë ftohje nga themeluesja – Partia Demokratike e Kosovës; aty është bazamenti”.
Por, sipas tij, nëse merret përqindja që nga viti 2014 ka vetëm 1% ndryshim.
Sa i përket kushtëzimeve që mund të vijnë nga Lista Serbe për të votuar Ramush Haradinajn për kryeministër, Veseli shprehet kategorik se nuk do të lejojnë në asnjë variant kushtëzime nga askush. “Kosova ka Kushtetutën dhe ligjet e veta dhe nuk do t’i nënshtrohet për asnjë moment diktatit të askujt”.
https://vimeo.com/222817435
Gresa për Rovenën: E sëmurë nga xhelozia
Reagimin e tifozëve në “Old Trafford” kur Ruben Amorim del n...
Dyshime për sulm me bombë në Gjermani, arrestohet i dyshuari
29 Nëntor, përkujtohet sot 80-vjetori i Çlirimit të Shqipëri...
Moti në Shqipëri me shi dhe shtërngata
Specialja sot urdhëron për zhdëmtimin e viktimave në rastin ...