Google ADS

Haziri: Nxënësit e Gjilanit na bëjnë krenar me sukseset e tyre nëpër gara

18:32 | 22 Qershor 2017
M. A.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, në kuadër të festës së Çlirimit të Gjilanit dhe në kuadër të përfundimit të vitit shkollor 2016-2017, në shenjë falënderimi për punën e bërë nga mësimdhënësit e Gjilanit dhe sukseset e arritura në gara të ndryshme, sot ka ndarë mirënjohje për më të dalluarit e Komunës së Gjilanit.

“15 qershori i çdo viti, Dita e Çlirimit të Gjilanit, është vit kalendarik i Gjilanit dhe brenda kësaj periudhe Komuna përmbledh analizat, vlerësimet, të arriturat, natyrisht me arsimin si shtyllë kryesore të procesit të shtetndërtimit, e në veçanti të ndërtimit të institucioneve lokale. Arsimi është shtylla kryesore që do të bartë proceset gjatë të ardhmes. Ne jemi krenar, Gjilani dhe qytetarët e kësaj Komune të madhe janë krenar me sukseset e arritura në të gjitha lëmitë, e me theks të veçantë në matematikë dhe në shkencat natyrore”, ka thënë kryetari Haziri.

Ai tha se ky është një takim me karakter mirënjohjeje për punën dhe përkushtimin e lartë të treguar në nivel të shkollave të Komunës së Gjilanit.

“Me punën tuaj dhe në koordinim e mbështetje edhe të prindërve dhe të institucioneve komunale, nxënësit gjilanas sot janë të sukseshëm në Kimi, Matematikë, Fizikë, Muzikë e fusha të tjera të shumta”, ka thënë kryetari Haziri.

“Është i domosdoshëm angazhimi në punë për krijimin e profileve profesionale, sepse shumica sot janë nga vitet e ’90-ta. Sot tregu i punës kërkon kuadro profesionale në lëmi të ndryshme nga sektor të ndryshëm, publik dhe më shumë nga sektori privat”, ka thënë kryetari Lutfi Haziri nga ky takim.

Ndërsa, Ushtruesja e Drejtorit së Drejtorit të Arsimit në Gjilan, Shqipe Kastrati-Haziri, ka falënderuar të gjithë mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit që kanë bashkëpunuar me drejtorinë për ngritjen e cilësisë së arsimit dhe përfaqësimin dinjitoz të Gjilanit, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

E në emër të mësimdhënësve pensionist, ka folur profesori Safet Rexhepaj, i cili ka porositur të gjithë mësimdhënësit që përsëri marrin ditarin në shtatorë, që të vazhdojnë me punë, për ngritje të cilësisë së arsimit në Gjilan.

Ndërsa në emër të të pranishmëve, profesori Festim Shkodra, ka falënderuar institucionet e Komunës së Gjilanit dhe kryetarin Haziri, për mbështetjen e vazhdueshme për Arsimin dhe përgatitjen e kuadrove profesionale për nevojat e tregut gjatë të ardhmes në Gjilan.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme