Gjakova ndan 32 mijë euro subvencione në shëndetësi

17:21 | 22 Qershor 2017
M. A.

Në komunën e Gjakovës është mbajtur mbledhja e bordit të drejtorëve e kryesuar nga nënkryetari i komunës, Armend Vokshi, ku janë shqyrtuar njëzetë e dy pika të rendit të ditës, me ç’rast është marrë vendimi që të ndahen 32 mijë euro subvencion për shëndetësi, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

“Janë miratuar kërkesat për shfrytëzimin e bodrumit të Drejtorisë së Arsimit si depo e parkut “Ali Podrimja” për kinemanë verore, si dhe kërkesa nga OJQ “Bone Vet” për shfrytëzimin e dy garazheve për zhvillime inovative. Ndërsa, për kërkesat e pranuara nga organizatat e invalidëve të luftës, federata sindikale e pensionistëve të Gjakovës, shoqatës e familjarëve të dëshmorëve dhe OVL UÇK-së për subvencione, bordi është dakorduar që fillimisht të shqyrtohen mundësitë nga ana e Drejtorisë për Buxhet dhe Financa për mundësitë e mbështetjes së këtyre kërkesave”, thuhet në komunikatë.

Më tutje në komunikatë thuhet se në këtë mbledhje, Teki Shala, drejtor i Drejtorisë për Buxhet dhe Financa ka dhënë informatën financiare për periudhën janar-maj 2017, ku ka bërë të ditur se gjatë kësaj periudhe kohore janë alokuar mjete në shumë prej 12,165,890.58 euro, prej së cilës shumë janë shpenzuar mjete në vlerë prej 8,473,633.58 euro, apo 70 për qind e shumës së përgjithshme të mjeteve të pranuara. Bordi i Drejtorëve ka miratuar edhe kërkesën e Drejtorisë së Shëndetësisë dhe të Mirëqenies Sociale, të paraqitur nga drejtori Basri Komoni, për subvencionet ë qytetarëve në shëndetësi në shumë prej 32 mijë euro. Miratim nga Bordi i Drejtorëve ka gjetur edhe kërkesa e drejtorit Bekim Ermeni, nga Drejtoria e Shëndetësisë, për ndarjen nga subvencionet mjete në shumë prej mbi pesë mijë euro për pendën e ujit në fshatin Shishman.

“Gjithashtu, janë shqyrtuar kërkesat nga Drejtoria për Punë Inspektuese për sigurimin e depos për mallrat e sekuestruara nga ana e Inspektorëve si dhe është formuar komisioni për shpalljen e ankandit publik për mallin e sekuestruar dhe të konfiskuar. Në fund janë shqyrtuar edhe disa kërkesa tjera të Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Drejtorisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Zyrës Komunale për Komunitete dhe Kthim për manifestimin e ditës nacionale të komunitetit egjiptian, e të tjera kërkesa me interes për Komunën dhe qytetarët”, thuhet në komunikatë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme