Google ADS

HRW: OKB të rishqyrtojë refuzimin e kompensimit të viktimave të Kosovës

13:24 | 21 Qershor 2017
Arbresh.info

Louis Charbonneau, drejtor në Kombet e Bashkuara, dhe Katharina Rall, Hulumtuese në Divizionin për Ambient dhe të Drejta të Njeriut, në ueb-faqen e Human Rights Watch, kanë publikuar një raport përmes së cilit kërkojnë nga OKB që të rishqyrtojë refuzimin që ka bërë që t’i kompensojë viktimat në Kosovë.
Më poshtë po e sjellim të plotë qëndrimin e tyre:

Kombet e Bashkuara mund të jenë duke i minuar përpjekjet e veta për promovimin e të drejtave të njeriut, në një kohë kur të drejtat po rrezikohen në mbarë botën.

Ky është qëndrimi i një paneli ekspertësh të OKB-së i cili ka hetuar ankesat për shkelje të të drejtave të njeriut nga misioni i OKB-së në Kosovë pas luftës së viteve 1998-1999 – përfshirë helmimet në masë të madhe nga plumbi në kampet e drejtuara nga OKB-ja. Pjesëtarë të zhvendosur nga komunitetet rom, ashkali e egjiptianë kanë jetuar atje për më shumë se një dekadë, dhe me qindra nga ta u sëmurën, ndërsa një numër i madh i tyre ende i vuajnë pasojat edhe sot, transmeton Koha.net.

Paneli Këshillues i OKB-së për të Drejtat e Njeriut (HRAP), i cili ka kryer hetimin, ka rekomanduar vitin e kaluar që OKB-ja të kërkojë falje dhe të paguajë viktimat e helmimit kompensim individual.

Megjithatë, muajin e kaluar, zyra për media e Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres, dha një plan tjetër, më të zbutur. Tha se OKB është duke krijuar një fond trusti vullnetarësh për projekte që asistojnë komunitetin për të ndihmuar “më gjerësisht komunitetet rome, ashkali dhe egjiptiane”. Me fjalë tjera, shtetet anëtare të OKB-së do të vendosin nëse do të dhurojnë për fondin, i cili do të përdorej për të ofruar shërbime të cilat jo medoemos do të kishin për cak ata të prekurit nga helmimi me plumb.

Avokatët e viktimave, organizatat për të drejtat e romëve dhe avokuesit e llogaridhënies në OKB kritikuan vendimin e OKB-së. “Human Rights Watch” kërkoi që Guterres të ndjek rekomandimet e HRAP-it.

Tani ish-anëtarët e HRAP-it kanë kërkuar nga OKB të ndryshojë kursin. Në një letër të 8 qershorit dërguar Guterresit, ata thanë se fondi në fjalë nuk ofron kompensim për shkeljet e së drejtës për jetesë dhe të së drejtës për shëndet. Ata po ashtu paralajmëruan Guterresin se “në këtë kohë të kundra-veprimeve ndaj të drejtave të njeriut është qenësore që OKB-ja të mbajë premtimin e Kartës së OKB-së dhe ndaj obligimeve që i ka promovuar ajo”. Nëse OKB-ja nuk e mban veten përgjegjëse, “sistemi i të drejtave të njeriut si i tërë dobësohet”, shkruan ata.

Është koha e duhur që OKB-ja të bëjë ndryshime për vuajtjet që kanë pësuar me qindra familje në Kosovë të janë ekspozuar ndaj plumbit toksik në kampe – dhe të cilët OKB-ja dështoi t’i zhvendoste deri në momentin kur efektet shëndetësore u bënë të qarta.

Guterres, i cili e trashëgoi këtë problem, ka premtuar të ndërtojë një kulturë të përgjegjësisë. Por refuzimi i OKB-së që të merr përgjegjësi këtu rrezikon aftësinë e tij që t’u bëjë presion qeverive të kompensojnë abuzimet e veta me të drejtat e njeriut.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme