Google ADS

Keqësohen raportet SHBA-Rusi

08:24 | 21 Qershor 2017
Arbresh.info

Momenti duket se qe zgjedhur qëllimisht: Gjatë vizitës së presidentit ukrainas Poroshenko në Uashington, qeveria amerikane njoftoi sanksione të mëtejshme kundër Rusisë. Moska njoftoi për kundërmasa.
Presidenti amerikan, Donald Trump e priti kryeministrin e Ukrainës Petro Poroshenko për një vizitë të shkurtër në Zyrën Ovale. Poroshenko u shpreh pas takimit i kënaqur që SHBA vazhdon të mbështesë marrëveshjet e paqes të Minskut për armëpushim dhe tërheqjen e armëve të rënda nga fronti.

Poroshenko tha në një deklaratë për televizion ukrainas se kishte biseduar gjithashtu me Trumpin për zgjerimin e mundshëm të bashkëpunimit në sektorin e mbrojtjes.

Ministri amerikan i Financave Mnuchin: Të vazhdojë presioni ndaj Rusisë

Ministri amerikan i Financave Steven Mnuchin tha se sanksionet e reja duhet të vazhdojnë ta mbajnë nën presion Rusinë që të punojë “për një zgjidhje diplomatike.” Qeveria e SHBA-së është e angazhuar për “sovranitetin e Ukrainës.” Prandaj nuk do të ketë lehtësim të sanksioneve për aq kohë sa Moska nuk i përmbush detyrimet e saj sipas marrëveshjeve të Minskut.

Sipas Ministrisë së Financave të SHBA-së masat e reja ndëshkuese drejtohen kundër 38 individëve dhe organizatave. Të prekur janë sipas tyre edhe dy punonjës të qeverisë ruse dhe një bankë ruse, e cila operon në zonat e kontrolluara nga rebelët prorusë në Ukrainën lindore. Po ashtu në listën e sanksioneve janë përfshirë edhe zyrtarë dhe organizata në këto territore, si dhe në gadishullin e Krimesë të aneksuar nga Rusia.

Marrëdhënie të tensionuara mes SHBA-së dhe Rusisë

Rusia reagoi menjëherë. Ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov e akuzoi Uashingtonin për një “mani armiqësore ndaj Rusisë”. Ky obsesion i kolegëve të tij në SHBA është “për të ardhur keq”, tha Lavrovi. Zëvendësi i tij Sergei Riabkov e akuzoi Uashingtonin për një “politikë jashtëzakonisht shkatërruese”. Qeveria amerikane nuk i ka “shfrytëzuar mundësitë për përmirësimin e marrëdhëniet tona dypalëshe.” Kjo është arsyeja pse Moska do të përgatisë tani kundërmasa, citohet Riabkov nga agjencia ruse e lajmeve RIA Novosti.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme