Kryeministri Edi Rama u përball mbrëmë me fakte për një sërë premtimesh të bëra në 2013, para se të vinte në pushtet dhe që nuk i mbajti gjatë 4 viteve të qeverisjes së Shqipërisë.
Në emisionin “Të paekspozuarit” gazetari Ylli Rakipi e ekspozoi përballë mosmbjatjes së premtimeve më të rëndësishme me të cilat erdhi në krye të ekzekutiviti, si: 1) ulja e çmimeve të shportës, 2) ulja e çmimit të energjisë elektrike, 3) shëndetësia falas, 4) anullimin e koncesioneve të qeverisë Berisha, 5) heqja e taksës së qarkullimit për bujqësinë dhë bërjen e çmimit të naftës për këtë sektor në 13 lekë apo 6) mbyllja e lojërave të fatit.
Thuajse për të gjitha këto, kryeministri gjeti justifikime të natyrave të ndryshme.
Dhe qëllimi i vetëm i këtyre justifikimeve ishte shmangia e përgjegjesisë së drejtpërdrejtë, se përse i gënjeu shqiptarët 4 vjet më parë, përse u bëri premtime të parealizueshme dhe përse kur të tjerët i thonin se ato çfarë deklaronte nuk mund t’i bënte (si anullimi i koncesioneve) ai këmbëngulte dhe përbetohej se ishte njeriu i vetëm që mund të bënte ëndrrën realitet.
Tani, kur i duhet të përballet me faktet, kryeministri përpiqet të zhvendosë vëmendjen më pirueta larg elegancës dhe me sulme brutale ndaj medias e gazetarëve që i kërkojnë të shihet në pasqyrë.
Lapsi.al po i sjell të plota dhe në video (shih më poshtë) të gjitha deklaratat e bëra mbrëmë nga njeriu që kërkon të qeverisë vendin për një mandat të dytë dhe tërësisht i vetëm, duke bërë të tjera premtime për të cilat thotë se mund t’i realizojë vetëm ai dhe askush tjetër.
1 – ULJA E CMIMIT TE PRODUKTEVE TE SHPORTES
I pyetur përse nuk e uli çmimin e produkteve bazike, si mielli, vezët etj, Edi Rama tha se jo çdo qeveri mund të ishte eficente 100% dhe mori si shembull një kompani private pa asnjë lidhje me çështjen, për ta treguar si shembull se edhe të tjerët dështojnë në realizimin e planeve të tyre. Shikoni se çfarë tha për këtë çështje dhe mund ta dëgjoni edhe në videon më poshtë.
Rakipi: Premtove uljen e TVSH -së për ushqimet bazë, miellin, vezët…
Rama: E vërtetë është
Rakipi: Nuk e mbajtët. Pse? Mund të ma thuash?
Rama: Edhe një herë, se po të shpjegoj. Ne ishim në një derexhe, se kur thotë ky, kur dalin këta e thonë që Shqipëria në këto vite…
Rakipi: Mos u merr me të, iku ai.
Rama: Jo, po nuk është ky, jeni të gjithë ju…
Rakipi: Ne të gjithë jemi të ligj, dhe vetëm ti tani je këtu?
Rama: Jo mo, jo. Jo mo se është një popull i tërë aty jashtë. Shyqyr që është populli jashtë, se këtu në klub, këtu në klub ju thoni se Shqipëria është më keq se ç’ka qenë, është më e vafër.
Rakipi: Ty po të të pyesësh për këto, nuk të përgjigjesh. Ti deri tani ke vajtur në emisione humoristike.
Rama: Kemi nxjerrë 60 mijë njerëz nga varfëria.
Rakipi: O zoti kryeministër, ti ke vajtur deri tani në emisione humoristike, ore, dhe s’të kanë bërë pyetje…
Rama: Po ky është më humoristik se ato të tjerët…
Rakipi: Tani unë po të them se ti ke thënë që vezët edhe miellin do t’i ul. Përse nuk i ke ulur?
Rama: Edhe një herë, edhe një herë…
Rakipi: Ke përgjigje?
Rama: Po, po kam, si s’kam.
Rakipi: Urdhëro.
Rama: Të thashë, që… jo të gjitha gjërat që zotohet përpara se të fillojë qeverisja zbatohen 100 %, se nuk ka efiçencë 100% asnjë kompani super siç është Apple
2 – ULJA E CMIMIT TE ENERGJISE ELEKTRIKE
Për çmimin e energjisë elektrike kryeministri insistoi se është ulur. Ai e mohoi edhe raportin e ERE (Entit Rregullator të Energjisë), të cilin e citoi drejtuesi i emisionit, në të cilin thuhet se energjia është rritur për 75% të konsumatorëve.
Rakipi: Premtove uljen e çmimit të energjisë elektrike.
Rama: është ulur çmimi
Rakipi: Ndalo pra 1 minutë, se do të të jap shifrat e tua, të institucioneve të tua. Ndërkohë që ajo është rritur për 75% të familjeve. Ja si. Sipas raportit vjetor të ERE, viti 2015, 75 % e shqiptarëve kanë paguar mesatarisht 11.4 lekë nga 9.24 në vitin 2013.
Rama: Ylli, këta janë borçkulla, çmimi i energjisë i energjisë është në faturë. Merre faturën tënde dhe shikoje, paguan më shumë apo më pak. Po ça flisni kështu mo. është në faturë po të them. Cmimi mesatar i energjisë elektrike për konsumatorët familjarë është ulur, për biznesin është rritur.
Rakipi: Tani unë po të jap raportin e ERE…
Rama: Po nuk dini ju të lexoni raporte. Ia kam thënë edhe Fevziut, aman 100 %. Merrni një copë letër këte, një copë letër andej vini e i lexoni këtu…
Rakipi: Jemi injorantë…
Rama: dhe kujtoni se mjafton t’i lexosh ashtu edhe… po të lutem pra tani, mos flisni për gjëra që nuk i dini.
Rakipi: Ok, ne jemi injorantë, ti je njeriu me i ditur në botë.
3 – SHENDETESIA FALAS
Për shëndetësinë falas, një prej premtimeve kryesore që kishte premtuar për ta realizuar në këtë 4 -vjeçar, kryeministri tha se është ende në proces. Gjatë viteve të para të mandatit, sa herë është përballur me kërkesën për ta realizuar shëndetësinë falas, është përgjigjur duke thënë: prisni fundin e mandatit, kam thënë për 4 vjet, jo në fillim të 4 -vjeçarit. Por edhe pse kanë kaluar plot 4 vjet, shëndetësia falas vazhdon të mbetet një ëndërr për shqiptarët.
Rakipi: Zoti kryeministër, premtuat shëndetësi falas dhe s’e realizuat. Pse?
Rama: He he, sa i madh që je. Jemi në proces. Dhe po të jap disa të dhëna që të jesh i informuar.
Rakipi: Si në proces?
Rama: Ore, është sistem mo zotëri, unë habitem…
Rakipi: Me kolegët e mi, ndonjëherë, kur na marrin… psh mua më kanë marrë një gjë timen dhe nuk e fitoj dot më, nuk ma kthejnë, dhe themi është në proces tani.
Rama: Po ça po më thua?
Rakipi: C’do me thënë është në proces? Procesi mund të zgjasë edhe 100 vjet.
Rama: Jo mo nuk do zgjasë 100 vjet fare. Ndërkohë kanë ndodhur ca gjëra që ju nuk doni t’i njihni. Ju vazhdoni të merreni me koncesionet, nuk ju vjen zor fare.
Rakipi: Eshtë turp i madh ajo puna e koncesioneve…
Rama: Ai është turp i madh? Ajo është krenari që ne e kemi çuar…
Rakpi: Eshtë borxh i fshehtë…
Rama: e kemi çuar financimin e shëndetësisë në 3% falë koncesioneve, por ju nuk kuptoni!
Rakipi: Ndërtimi i rrugës së lumit të Vlorës…
Rama: Po, është duke u ndërtuar
Rakipi: Thatë se do ta ndërtonit
Rama: O Ylli, a t’lutem… ore shiko se ju s’jeni normal, e kam seriozisht. Keni një anormalitet serioz. Vetëm projekti do një kohë, financimi do një kohë tjetër.
4 – HEQJA E TAKSES SE NAFTES PER BUJQESINE
Rakipi: Ke thënë “do heqim taksën e qarkullimit të naftës për bujqësinë dhe litri i naftës do të jetë të paktën 13 lekë. Nuk është e vërtetë, përse s’e ke bërë.
Rama: Ylli…
Rakipi: A do të përgjigjesh për premtimet e tua?
Rama: Po do të përgjigjem pra
Rakipi: Hë më thuaj
Rama: Jo mo jo, po jo mo jo, se ti ke kapur disa nga ato që, është e vërtetë, nuk janë realizuar siç janë thënë…
Rakipi: Mos do të kalojmë tek këto që ke bërë…?
Rama: Po janë dhjetëra e dhjetëra të tjera të realizuara. Dhe po të them që janë të gjitha pjesë e një procesi të shtetbërjes, sepse…
5 – ANULLIMI I KONCESIONEVE TE QEVERISE BERISHA
Për kontratat koncesionare, që kishte premtuar se do t’i anullonte, kryeministri pranoi se e kishte pasur të pamundur. Kjo për faktin se shtetit do t’i duhej të paguante gjoba të mëdha. Por këtë fakt atij ia kishin bërë të ditur ekspertë e politikanë që para se të vinte në pushtet, në kohën kur i bënte këto premtime të parealizueshme ose me shumë kosto nëse do t’i realizonte. Gazetari Ylli Rakipi i vuri në dukje edhe koncesionet e dyshimta të bëra nga qeveria e tij dhe i tha se të gjitha paratë që përflitet se i kanë përvetësuar ministrat e tij, në fakt i ka përvetësuar kryeministri vetë.
Rakipi: Do të anulloj të gjitha kontratat koncesionare që janë në dëm të shqiptarëve dhe të shtetit shqiptar. Më thuaj një që ke anulluar.
Rama: Aaaa, të them 1 që kam anulluar.
Rakipi: Një!
Rama: Të them tjetrën unë
Rakipi: Një, një që ke anulluar
Rama: Po pra ta shpjegoj unë, ta shpjegoj unë. Të shpjegoj pse nuk është anulluar kontrata e skanerave. Ta shpjegoj pse nuk është anulluar? Dmth ne i kemi bërë përpjekjet…
Rakipi: Unë po të them sa ke bërë.
Rama: Ore ne i kemi bërë përpjekjet.
Rakipi: Pse, nuk e di unë përse?
Rama: Pse?
Rakipi: Ta kam thënë, mo. Se ti nuk e anullon dot se ha një gjobë… se ai i ka kalcifikuar, ai që iku nga pushteti, siç i ke kalçifikuar ti kontratat, të gjitha kontratat e koncesioneve që ke bërë ti, ky shtet i ka kalçifikuar.
Rama: Sepse e keni mendjen te tepsia. Ooo, po merr lekë Ilir Beqja, ooo po merr lekë ai…
Rakipi: Jo, Ilir Beqja. Shokët tu, miqtë e tu thonë se nuk i merr Ilir Beqja, i merr Edi Rama.
Rama: Ja, ja, ja. Ja me ça merreni ju.
Rakipi: Ku ka fuqi Ilir Beqja të marrë gjithë atë para?
Rama: Ja me ça merreni ju. Ju jeni të turpshëm, mo.
6 – MBYLLJA E LOJERAVE TE FATIT
Edhe për lojërat e fatit, kryeministri pranoi atë që i thuhej në kohën kur përbetohej se do t’i mbyllte me çdo kusht: se lojërat e fatit sillnin të ardhura të konsiderueshme në buxhetin e shtetit. Por veç kësaj ai tha diçka të vështirë për t’u besuar; se brenda grupit parlamentar kishte kundërshti dhe ai kishte qenë në minorancë në këtë çështje.
Rakipi: Nuk i mbyllët
Rama: I kemi formalizuar, i kemi kufizuar, por nuk i kemi mbyllur. Sepse nuk janë krijuar kushtet dot për t’i mbyllur.
Rakipi: Ca kushtesh duhen?
Rama: Në këtë çështje unë kam qenë në minorancë. Sepse unë mendoj se në Shqipëri nuk duhet të ketë lojëra fati fare.
Rakipi: Në minorancë nga kush mo? Nga parlamentarët e tu?!
Rama: Po mo po, nga njerëzit që punojnë me mua dhe nga deputetët e tjerë.
Sa për lojërat e fatit, që nisën me marrëzinë e operacionit “Fundi i Marrëzisë”, qeveria Rama jo vetëm nuk i ka mbyllur, por ka shtyrë dy herë të tjera hyrjen në fuqi të ligjit, me justifikimin absurd se nuk janë nxjerrë aktet nënligjore. Ligji i miratuar dy vjetë më parë llogaritet të hyjë në fuqi në vitin 2019, nëse nuk do të shtyhet sërish. /Lapsi.al
Arsyet përse gripi zgjat dhe nuk largohet lehtë, ja çfarë su...
Çfarë thonë exit poll-et e para?
Notat e lojtarëve: Real Madrid 1-3 Milan, Maignan heroi i ...
Dita e Zgjedhjeve përgjithësisht e qetë, me probleme dhe von...
Çështjet që shqetësojnë votuesit janë demokracia dhe ekonomi...
Kevini mundohet ta puthë Anën, kjo e fundit befason me vepri...