​Shkaku i Vëllaznimit, përplasen ashpër Munishi dhe Mimoza Kusari (FOTO/VIDEO)

21:24 | 19 Qershor 2017
Arbresh.info

Trajneri Ismet Munishi dhe kryetarja e Gjakovës, Mimoza Kusari janë përplasur ashpër për skuadrën e futbollit Vëllaznimi. Ai ka akuzuar kryetaren se e ka ndihmuar pak Vëllaznimin gjatë mandatit të saj, ndërsa ajo i është përgjigjur me fakte, duke treguar të gjitha paratë që ka ndarë për këtë skuadër

Trajneri i ri i skuadrës së Vëllaznimit, Ismet Munishi ende pa filluar punën te skuadra e re, ka kritikuar kryetaren e Gjakovës, Mimoza Kusari, për ndihmën e pakët që i ka dhënë klubit.

Ai kërcënon kryetarin ose kryetaren e ardhshme, se pa garanci për ndihmë ndaj Vëllaznimit, nuk do ta marrë kurrë postin e kryetarit në Komunë.

“Dy vitet e fundit edhe Komuna e Gjakovës ka stagnu shumë. Gjatë mandatit Mimoza Kusari ka dhënë shumë pak për Vëllaznimin dhe ne të gjithë e dimë se çfarë do të thotë Vëllaznimi për Gjakovën”, tha fillimisht Minishi në emisionin Arena të Tribuna Channel.

“Le të matet mirë ai që do të jetë kryetar i ardhshëm i Gjakovës, sepse duhet të jep garancë që do ta ndihmojë fuqishëm skuadrën e Vëllaznimit, përndryshe nuk bëhet kryetar i Gjakovës dhe unë këtë e garantoj”.

Përveç kësaj, Munishi ka thënë se edhe Ministri i ardhshëm i Sportit duhet që së pari të investojë në stadiumin e Gjakovës, për shkak të kontributit në Superligën e Kosovës.

Kjo deklaratë e Munisht ka acaruar kryetaren Mimoza Kusari, e cila përmes një statusi në Facebook ia ka rikujtuar Munishit se sa e ka ndihmuar Vëllaznimin gjatë mandatit të saj.

Ajo po e ashtu ia kujtoi Munishit se rregullat mund t’i bëjë vetëm në Vëllaznim, ndërsa për Komunë, politikat e sportit dhe rregullat tjera i bën ajo me bashkëpunëtorët e saj.

“Hajde profesionalizëm hajde… ende pa i shkelë këmba në Stadionin e qytetit dhe ende pa udhëheq një ditë me FC “Vllaznimi” Ismet Munishi paska vendos me m’shti mu mat me të.

Kadalë burrë, se ka gra dhe burra këtu që shumë para teje janë mundu dhe mundohen për Vllaznimin dhe jo se paguhen për atë punë, por për arsye se pak më shumë se ti e ndjejnë Gjakovën dhe sportin Gjakovar.

Tash, pasi qenke ardhë shumë i papërgaditur për terrenin e ri, po ti jap disa informata bazë që do të duhen për ditët në vijim:

Komuna e Gjakovës nën drejtimin tim ka ndihmuar KF respektivisht FC “Vllaznimi” me këto shuma:

2014 = 56,000 €

2015 = 30,000 €

2016 = 10,000 €

2017 = 15,000 €

Ndërsa, ndaras nga këto shuma, vetëm për dy vite 2014 & 2015 është paguar transporti në vlerë prej: 12,000 €

Totali i ndihmës për katër vite vetëm nga Komuna e Gjakovës për KF apo FC”Vllaznimin” 123,000 €

Pa përfshirë këtu, faturat e papaguara të komunalive në stadiumin e qytetit që nga paslufta në total 150,000 €, borxh ky që ka filluar të paguhet nga viti 2014 dhe sot është zbritur në 20,000 € të mbetura.

Shtesë të gjithave, KF “Vllaznimin” e kemi gjetë në Ligë të parë dhe tani është në Superligë.

Tash ti që do ta udhëheqësh klubin në Superligë, sigurohu që e mban aty dhe mësoje një rregull bazë, Ti mund ti bësh rregullat në klub, por në Komunë, politikat e sportit dhe rregullat tjera i bëj UNË me bashkëpunëtorët e mi. Një prej tyre edhe drejtori më i suksesshëm i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në Kosovë, Meriton Ferizi

Merre mundin dhe takohu me të, ndoshta mëson ndonjë gjë të re. Nëse jo, atëherë të paktën e merr një mësim mirësjellje Gjakovare.

Shumë herët është për strategjinë “Sulmi mbrojtja më e mirë” trajner. Provo me ndonjë strategji tjetër, ndoshta ndez më shumë.

Shëndet dhe Sukses me postin e ri!”, shkruan Mimoza Kusari në Facebook.

Munishi edhe gjatë karrierës si futbollist kishte luajtur për Vëllaznimin, tek e cila skuadër edhe e mbylli karrierën. /Express/

https://www.facebook.com/fcvellaznimi1927/videos/1541666262552562/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme