Ish komandanti i UÇK-së padit shtetin për padrejtësi në rastin “Drenica”

16:24 | 19 Qershor 2017
L G

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovë, që ishte i akuzuar në rastin e njohur si “Grupi Drenica”, Sahit Jashari ka paditur shtetin për qëndrimin e padrejtë të tij në paraburgim dhe arrest shtëpiak.

Jashari kërkon kompensim nga shteti për qëndrimin e tij në paraburgim dhe arrest shtëpiak për gjithsej 567 ditë, derisa akuzohej për krime lufte si ish-komandanti i UÇK-së në rastin “Drenica 1”.

Lajmin për padinë e Jasharit, e ka bërë të ditur për “Arbresh.info”, mbrojtësi i tij, avokati Tahir Rrecaj, i cili ka thënë se është refuzuar oferta që Këshillit Gjyqësor i Kosovës i kishte ofruar Jasharit, e që sipas tij ishte simbolike.

“Ne nuk e kemi pranuar ofertën e KGJK-së, pasi ishte një ofertë simbolike.  Ai kërkon kompensimin e dëmit material dhe jo material që është mbajtur padrejtë në paraburgim dhe në arrest shtëpiak për një kohë”, është shprehur Rrecaj.

Avokati Rrecaj pohon se padinë për kompensim e ka dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

“Padinë për kompensimin e dëmit material dhe jo material për qëndrimin e tij në paraburgim dhe arrest shtëpiak  pa të drejtë e kam dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë.  Kërkesa për kompensim është bërë në vlerë të pacaktuar, aq sa do ta caktojnë ekspertët.”, pohon  avokati Rrecaj.

E shuma që i ishte ofruar ish-komandantit të UÇK-së për qëndrimin e tij në paraburgim për 559 ditë dhe 8 ditë në arrest shtëpiak, sipas drejtorit të Departamentit Ligjor në KGJK dhe sekretarit të Komisionit për Kompensim të dëmit, Astrit Hoti ishte gjithsej 9525 euro.

Hoti për “Arbresh.info ka treguar se sa është kompensuar Jashari për secilin dëm që i është shkaktuar gjatë periudhës që është përballur me gjykatën.

“Për 559 ditë të qëndrimit ne paraburgim z.Sahit Jashari i është ofruar shuma prej 5,031.00 euro në emër të dëmit material, shuma prej 3,354.00, shumë në emër te demit jo material, 900 euro shuma në emër të pakove dhe vizitave familjare dhe shuma prej 120 euro për shpenzimet e avokatit”, është shprehur Hoti për “Arbresh.info”.

Sipas tij, shuma totale për qëndrimin e Jasharit në paraburgim që i është ofruar është 9,405.00 euro, ndërsa për qëndrimin e tij në arrest shtëpiak 8 ditë i është ofruar shuma prej 72 euro dëmi material dhe 48 euro dëmi jo material.

Shuma totale për qëndrim në arrest shtëpiak, që i ishte ofruar Jasharit sipas Hotit ishte 120 euro.

Mirëpo, ai tregon se kjo ofertë nuk ishte pranuar nga mbrojtja e Jasharit.

“Përfaqësuesi i autorizuar avokati Tahir Rrecaj nuk e ka pranuar këtë ofertë,  për shkak se është një kompensim i ulët dhe simbolik”, ka thënë Hoti.

s-jashari

Sahit Jashari

Ndryshe, Sahit Jashari, ishte njëri ndër të akuzuarit kryesorë për krime lufte në grupin e quajtur “Drenica”, mirëpo Gjykata Themelore në Mitrovicë, në maj të vitit 2015  kishte vendosur që Jasharin ta shpallë të pafajshëm, duke bërë që prokurori i rastit, Claudio Pala të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit, ku dhe ka kërkuar nga kjo gjykatë  dënimin e tij.

Megjithatë Gjykata e Apelit, kishte vërtetuar vendimin e shkallës së parë duke e shpallur të pafajshëm Jasharin.

Ai ishte i akuzuar në  grupin e njohur si “Drenica 1”,  bashkë me  Sylejman Selimin, Sami Lushtakun, Sabit Gecin, Ismet Haxhën,  Jahir Demaku dhe Avni Zabeli

Edhe ish-komandant ‘Celiku’ Fatmir Limaj vitin e kaluar kishte bërë një kërkesë te tillë, duke kërkuar kompensim nga shteti afro 7 milionë euro. Limaj kishte refuzuar ofertën e KGJK-së për qëndrimin e padrejtë të tij në paraburgim dhe arrest shtëpiak për rastin ‘Kleçka’./Arbresh.info/ Gita Lushi

Të ngjashme