Google ADS

Japoni, marinarët amerikanë gjenden të pajetë

20:00 | 18 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Marinarët, që ishin shpallur të zhdukur pasi luftanija amerikane “USS Fitzgerald” u përplas me një anije tregtare në brigjet japoneze, janë gjetur tashmë të pajetë, sipas asaj që njoftohet nga mediet japoneze dhe nga vet Marina amerikane.

Pas asaj përplasjeje, 7 marinarë nuk po gjendeshin, ndërsa 3 të tjerë ishin plagosur. Incidenti i së shtunës thuajse e përmbyti destrojerin amerikan, deklaron Marina amerikane. Sipas kësaj të fundit, punonjësit e kërkim-shpëtimit i gjetën trupat e pajetë të marinarëve të dielën, pasi arritën të siguronin qasje në pjesët e dëmtuara të destrojerit. Trupat e pajetë do të dërgohen në një spital të Japonisë për t’u identifikuar.

Incidenti ndodhi rreth 56 milje detare (104 km) në jugperëndim të qytetit portual Yokosuka të Japonisë, rreth orës 2:30 të mëngjesit të së shtunës me atë lokale, ose pasditen e së premtes. Rrjeti televiziv japonez, NHK njoftoi se përplasja çoi në përmbytjen e dhomave të fjetjes së ekuipazhit, ndërsa ata ishin pikërisht duke fjetur.

“Dëmtimi është domethënës”, tha komandanti i Flotës së shtatë, zv.admirali Joseph P. Aucoin. “Ka pasur një çarje të madhe në pjesën e poshtme. Riparimet do të duan disa kohë që të përfundojnë”, shtoi më tej ai.

Në një konferencë për shtyp nga Japonia, të dielën, Aucoin nuk konfirmoi numrin e trupave të pajetë të gjetur deri më tani, por shtoi se familjarët e marinarëve janë njoftuar.

Destrojeri amerikan u përplas me anijen tregtare “ACX Crystal”, një anije çisternë 222 metra e gjatë me flamur filipinas, ekuipazhi prej 20 vetësh i të cilit nuk pësoi asnjë dëmtim.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme