Google ADS

Japoni, vijojnë kërkimet për marinarët e zhdukur

22:22 | 17 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Vazhdon operacioni masiv për 7 marinarët amerikanë, të humbur pasi anija e tyre luftarake u përplas me një anije tregtare në brigjet e Japonisë.

Varka të shumta shpëtimi si japoneze ashtu dhe amerikane janë vënë në kërkim të marinarëve dhe operacionet pritet të vazhdojnë edhe gjatë natës.

Ndërkohë, një hetim ka nisur për të zbardhur rrethanat se si luftanija “USS Fitzgerald” u përplas me anijen e konteinerëve në orët e para të mëngjesit të së shtunës.

Tre persona të tjerë, mes të cilëve komandanti i anijes, janë dërguar në spital për shkak të plagëve të marra nga përplasja.

Ngjarja ndodhi rreth 104 kilometra në jug-perëndim të portit japonez Jokosuka, rreth orës 02:30 me orën lokale.

Njëra anë e anijes, ku ndodhej dhe ylli që simbolizon përkatësinë e marinës amerikane, mbeti e dëmtuar nga përplasja, por megjithatë arriti të kthehej në bazën e saj në Jokosuka, me ndihmën e dy varkave rimorkio.

Në Jokosuka ndodhen anijet e flotës së shtatë të Shteteve të Bashkuara, që përmban 80 nëndetëse e anije, përfshirë këtu “USS Fitzgerald”.

Ende është e paqartë se për ku mjeti lundrues i gjatë 154 metra, i pajisur me raketa, ishte drejtuar. Ndërsa anija e mallrave “ACX Crystal”, 222 metra e gjatë dhe me flamur filipinas, po udhëtonte mes qyteteve japoneze Nagoja dhe Tokio.

Regjistri i trafikut detar sugjeron se “ACX Crystal” bëri një kthesë “U” 25 minuta përpara impaktit, për arsye ende të paqarta.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme