Google ADS

Reformim i legjislaturës së VI-të, 70 për qind e deputetëve janë të rinj

11:02 | 17 Qershor 2017
Arbresh.info

Koalicionet parazgjedhore vënë në pah fytyra të reja të kandidatëve për deputet.

Ndonëse ende nuk janë certifikuar rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve nga KQZ-ja, flitet se rreth 70 për qind e legjislaturës së gjashtë do të ketë fytyra të reja si përfaqësues të popullit në Kuvendin e Kosovës.

Analisti politik Bajrush Morina në një prononcim për portalin arbresh.info thotë se legjislatura e fundit ka treguar se përfaqësuesit e popullit në Kuvend sipas tij përfaqësojnë shumë pak popullin, por shprehë optimizëm për legjislaturën e re.

“Unë besoj se legjislatura e re do të jetë krejt ndryshe dhe se Kuvendi i ardhshëm i Kosovës do të ‘reformatizohet’ për më shumë se 70%. Ndryshe zgjedhjet nuk kanë kuptim nëse nuk prodhojnë një Kuvend të ri dhe një Kuvend ndryshe,” vlerëson Morina.

Sipas Imer Mushkolajt freskimi i Kuvendit me emra të rinj është i domosdoshëm dhe i nevojshëm.

“Natyrisht, ata nuk duhet të mbeten vetëm emra, por të dëshmojnë edhe se nuk e kanë marrë kot besimin e qytetarëve, por do t’ua kthejnë me punë e përkushtim. Votimi i këtyre emrave nga elektorati tregon se ata duan që t’i përfaqësojnë në Kuvend njerëz të rinj, e jo të atillë që janë paguar për disa legjislatura me radhë nga paratë e tyre, por nuk i kanë përfaqësuar denjësisht”, ka thënë ai për portalin Arbresh.info.

Ndërsa sipas njohësit të çështjeve politike Faik Krasniqit legjislatura e fundit e Kuvendit të Kosovës, ka qenë më e dobëta në Kosovën e pasluftës.
Por, thotë se qytetarët e Kosovës kurrë nuk kanë votuar më mençur se në këto zgjedhje.
“Në zgjedhjet e 11 qershorit 2017, sovrani përveç se ndëshkoi partitë që deri më tash kanë qeverisur, ata ndëshkuan edhe shumicën e deputetëve të vjetër. Kjo është një shenjë pozitive që qytetari i Kosovës ka filluar të vetëdijesohet”, tha ai duke shtuar se është shenjë se në Kosovë ka filluar era e ndryshimit.

Ata besojnë se me futjen e emrave të rinjë të deputetëve, Kuvendi do të jetë shumë më funksional dhe në shërbim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, dhe jo në shërbim të vetvetes dhe grupeve të caktuara të interesit dhe oligarkisë. /V.Berisha/arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme