Google ADS

Namazi i natës nuk ka mbështetje fetare për promovim në asnjë xhami

14:23 | 16 Qershor 2017
Arbresh.info

Bashkësia Islame e Kosovës përmes një vendimi dërguar imamëve të xhamive ka kërkuar që namazi i natës i cili fillon në dhjetëditëshin e fundit të Ramazanit të falet vetëm në disa xhami të Kosovës, shkruan arbresh.info.

Por, vendimi nuk është publik pavarësisht se drejtuesit e BIK-ut e kanë pranuar, dhe rrjedhimisht qytetarët nuk dinë se në cilat mund të falet dhe në cilat jo. Ata gjithashtu duan të dinë arsyet e kufizimit të kësaj të drejte të aplikuar viteve të fundit në Kosovë, deri sivjet në të gjitha xhamitë.

Pavarësisht kësaj për njohësin e çështjeve islame, Xhabir Hamiti namazi i natës nuk ka mbështetje fetare për tu promovuar në xhami.

“Namazi i natës, që nënkupton atë pas teravive , dhe i cili mund të zgjasë  deri në syfyr,  nuk  ka mbështetje fetare për t`u promovuar;  jo vetëm në një xhami, por në asnjë xhami. Ndërsa, vullneti i lirë i dikujt për tu lutur kolektivisht në xhami, është diçka tjetër” tha Hamiti.

Sipas tij kjo formë e lutjes është imponuar në Kosovës pas lufte.

“Namazi i Natës është një element i katapultuar nga sektet e jashtme fetare ideologjike dhe politike, dhe si i tillë nuk bënë pjesë në traditën  autoktone fetare dhe  tradicionale të myslimanëve  shqiptarë e as e atyre rajonal në Ballkan dhe më gjerë” tha ai.

Hamiti thotë se Namazi i natës apo lutjet e natës janë të karakterit vullnetar  dhe mund të bëhen në shtëpi, në qetësi dhe në vetmi./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme