Personi që sulmoi ligjvënësit amerikanë ishte kritik i ashpër i Trumpit

00:34 | 15 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Personi që hapi zjarr ndaj ligjvënësve republikanë, gjatë një stërvitjeje bejsbolli në Aleksandria të shtetit Virxhinia, ishte një kritik i ashpër i Presidentit Donald Trump, sipas njoftimeve të mediave sociale.

Në mediat amerikane gjithashtu thuhet se vitin e kaluar ai ishte vullnetar në fushatën e senatorit nga Vermonti, Bernie Sanders.

James Hodgkinson, 66 vjeç, nga qyteti Belleville i Ilinoit, plagosi katër vetë, duke përfshirë ligjvënësin Steve Scalise, dy policë të Uashingtonit dhe një anëtar të personelit të një ligjvënësi tjetër të Dhomës së Përfaqësuesve.

Përmes një deklarate për mediat, Presidenti Trump njoftoi se Hodgkinson vdiq nga plagët.

Hodgkinson, i cili ishte pronar i një biznesi për inspektimin e shtëpive, kishte një histori problemesh me autoritetet.

Sipas të dhënave publike të policisë, në vitin 2006 ai u arrestua për dhunë në familje.

Ai gjithashtu duket se ka qenë një mbështetës aktiv i fushatës për president të senatorit Bernie Sanders.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme