LDK e vendosur: S’ka asnjë mundësi koalicioni me PAN

16:45 | 14 Qershor 2017
Arbresh.info

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca Kosova e Re (AKR), Alternativa dhe Lëvizja për Drejtësi, kanë hedhur poshtë mundësinë e përfshirjes në një koalicion me PAN.

Sipas një njoftimi të LDK-së thuhet se deklarimet e Haradinaj se do të bisedojë për koalicion me LDK-në, janë në kundërshtim të plotë me qëndrimin e të gjitha strukturave të LDK-së, partnerëve të saj dhe elektoratit tonë, i cili më 11 qershor me votë plebishitare vendosi për ta dërguar PDK-në në opozitë.

Koalicioni në fjalë ka përjashtuar çdo mundësi bashkëpunimi dhe nuk ulet për diskutuar me askënd që ka për qëllim ta mbajë PDK-në në pushtet, transmeton Indeksonline.

LDK ka shtuar gjithashtu se insistimi i çdokujt për të bashkëpunuar me LDK-në, për t’ia zgjatur pushtetin kapësve të shtetit nuk do të vije në konsiderim asnjëherë.

“Haradinaj thirret në bashkëpunimin me LDK-në në kohën e Presidentit Rugova, por ai bashkëpunim kishte një qëllim tjetër, dërgimin e PDK-së në opozitë, ndërsa tani Haradinaj kërkon bashkëpunim me LDK-në për ta mbajtur PDK-në në pushtet”, thuhet ndër të tjerash në njoftim.

LDK ka bërë të ditur se vazhdon t’i qëndrojë prapa vendimit të koalicionit të djathtë se nuk ulet për të biseduar për koalicion eventual me PDK-në dhe as me partnerët e saj dhe e konsideron të kotë dhe tendencioz çdo deklarim të çdokujt për mundësinë e përfshirjes së LDK-së në ndonjë formulë qeverisëse me PDK-në.

“LDK dhe partnerët e saj të koalicionit janë duke pritur certifikimin e rezultatit të zgjedhjeve të 11 qershorit dhe veprimet do t’i ndërmarrin në përputhje me vullnetin e elektoratit të tyre”, është përfunduar në komunikatën për media.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme