Google ADS

Rektori Zejnullahu shkel ligjin, gjobitet me 7 mijë euro

11:29 | 16 Qershor 2015
Arbresh.info

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Ramadan Zejnullahu ka bërë shkelje të Ligjit të punës për shkak se një numër i konsiderueshëm i asistentëve kanë punuar pa kontrata të punës.

Gjithashtu, edhe pranimi i asistentëve është bërë në kundërshtim me Statutin e UP-së. Pasojë e këtyre shkeljeve, Inspektorati i Punës i Republikës së Kosovës ka dënuar rektorin Ramadan Zejnullahu me 7 mijë euro, dhe Universitetin e Prishtinës me 9 mijë euro.

Inspektorët kanë konstatuar se është bërë shkelje duke hapur konkurs intern, duke pranuar asistentë që nuk i plotësojnë kriteret e kërkuara dhe duke mbajtur asistentë pa kontratë pune.

Ka katër muaj që kur Inspektorati i Punës ka kërkuar nga rektori Zejnullahu që të anulojë konkursin e datës 29.09.2014, dhe të shpallë konkurs publik për pranimin e asistentëve në degën e Infermierisë të Fakultetit të Mjekësisë. Kjo kërkesë e Inspektoratit nuk është plotësuar. Tani, kanë kaluar dy javë që kur rektorit i ka shkuar edhe shkresa e vendimit prej shkallës së dytë të Inspektoratit që të paguajë dënimin. Por, edhe pas të gjitha këtyre, ai ka vazhduar të mbetet i heshtur karshi kësaj situate.

KosovaPress ka tentuar të marrë informata për rastin në fjalë, por Rektorati akoma nuk ka dhënë snjë përgjigje lidhur me dënimin që i është shqiptuar.

Në mars të këtij vit i, kur Inspektorati ka bërë riinspektimin, ka gjetur se rektori nuk e ka anuluar konkursin, duke konstatuar se ka bërë shkelje të Ligjit të punës.

Por, konkursi nuk ishte shkelja e vetme e konstatuar nga Inspektorati. Sipas këtyre të fundit, rektori Zejnullahu ka bërë shkelje të Ligjit të punës, me atë që ka mundësuar që një numër i konsiderueshëm i asistentëve të punojnë pa kontrata të punës. Gjatë inspektimit në muajin shkurt, është konstatuar gjithashtu se gjatë pranimit të asistentëve është bërë shkelje edhe e Statutit të UP-së, lidhur me plotësimin e kushteve. Sipas raportit të Inspektoratit, asistentët në Fakultetin e Mjekësisë janë pranuar në kundërshtim me kriteret e kërkuara nga Statuti i UP-së.

Si pasojë e këtyre shkeljeve, Inspektorati ka gjobitur rektorin Zejnullahu me 7 mijë euro, dhe Universitetin e Prishtinës me 9 mijë euro. Vërejtjes për anulim të konkursit, rektori i është përgjigjur duke konsi deruar se nuk ka ndonjë arsye për të anuluar konkursin intern, pasi, sipas tij, konkursi i shpallur u ka dhënë të drejtë kandidimi si kandidatëve të brendshëm ashtu edhe atyre të jashtëm.

Por, me datë 02.16.2015 kërkesa e rektorit u refuzua si e pabazë. Organi i shkallës së dytë e vërtetoi vendimin e Inspektoratit, duke konstatuar se shpallja e konkursit për asistent është në kundërshtim me nenin 8 të Ligjit të punës. Kundër këtij vendimi mund të ngritet kontest administrativ në Gjykatën Themelore në afat prej 30 ditësh që nga dita e pranimit të vendimit.

Dy javë nga ky afat kohor veçmë kanë kaluar, rektori nuk ka paraqitur ndonjë qëndrim se çfarë do të bëjë më tutje, a do të vazhdojë në gjykatë apo do të paguajë dënimin prej 7 mijë euro.

Bazuar në Ligjin Nr. 2002/9 Për Inspektoratin e Punës në Kosovë, dispozitat e nenit 6 – Procedura sipas ankesës dhe Ligjit Nr. 03/L-017 për Ndryshimin dhe Plotësimi n e Ligjit Nr.2002/9 për Inspektoratin e Punës, zhvillohen procedurat sipas ankesës – Pala mund të ngritë kontest në gjykatën kompetente (gjykatën themelore) kundër vendimit të organit të shkallës së dytë në afatin prej 30 ditëve. Por, ankesa e ushtruar kundër vendimit të inspektorit të punës – organit të shkallës së parë, nuk e shtyen ekzekutimin e vendimit. Nëse pala e pakënaqur nuk e ka respektuar afatin prej 8 ditëve për të ushtruar ankesën, atëherë ankesa e tillë refuzohet si e pa-afatshme dhe nëse ankesa është bërë nga personi i pa autorizuar, hudhet poshtë. Nëse pala nuk e kryen obligimin e vet me vullnetin e tij atëherë zhvillohet procedura përmbaruese për ekzekutimin e atij vendimi, thuhet në vendimin e inspektoratit.

Në ankesën e rektorit drejtuar Inspektoratit të Punës, thuhet se nuk ka arsye për ndërprerje të konkursit, dhe se çdo veprim për të anuluar konkursin intern do të dëmtonte procesin mësimor.

“Konsideroj se në këtë fazë nuk ka ndonjë arsye për të ndërprerë konkursin intern pasi që ky konkurs jo vetëm që u ka dhënë të drejtë konkurrimi kandidatëve të brendshëm dhe atyre nga jashtë UP-së, por një numër i konsideruar i të përzgjedhurve janë pikërisht kandidatë që nuk janë staf i rregullt i UP-së”, thuhet në shkresën e rektorit./kp.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme