Vonesat eventuale rreth formimit të Qeverisë së re, pas zgjedhjeve parlamentare të 11 qershorit në Kosovë, vlerësohet se do ta ngadalësonin procesin e liberalizimit të vizave.
Njohës të çështjeve të integrimeve evropiane thonë se edhe nëse Qeveria formohet pa vonesa, mund të ketë efekte pozitive në procesin e liberalizimit, sikurse që mund të ketë efekte negative zvarritja, shkruan REL.
Por, nuk përjashtohet as mundësia që procesi të ngecë edhe në Bashkimin Evropian, ku besohet se te disa vende anëtare të BE-së, nuk ka shumë vullnet që Kosovës t’i hiqen vizat.
Zgjedhjet e 11 qershorit në Kosovë nuk kanë nxjerrë një koalicion apo parti politike si fituese bindëse të zgjedhjeve, duke krijuar kështu vështirësi të mëdha në krijimin e Qeverisë së re.
Emrush Ujkani, profesor i së Drejtës Evropiane, tha për Radion Evropa e Lirë se mungesa e krijimit të Qeverisë së re nënkupton faktin se është e pamundur që të shkohet më tutje me ratifikimin e Demarkacionit me Malin e Zi dhe të bëhen hapa konkret në luftimin e korrupsionit. Sipas tij, këto janë edhe kriteret që duhet të plotësohen, që t’i hapet rrugë liberalizimit të vizave.
“Ne urojmë që të mos ketë ngërç polik, por rezultat preliminare që dalin nga zgjedhjet, nuk janë optimiste në raport më atë se mund të kemi një formim të Qeverisë se re në afat shkurtër. Dhe, vonesat që do te jenë, për çfarëdo arsye në krijimin e Qeverisë, do të kenë ndikimin e përgjithshëm në gjithë ciklin e politikëbërjes, dhe në këtë perspektivë, natyrisht që do ta afektonte edhe procesin që ndërlidhet ngushtë me plotësimin e kritereve për liberalizimin e vizave”, thekson Ujkani.
Kosova, shton Ujkani ka humbur hapin në procesin e liberalizimit të vizave. Sipas tij, në dy vjetët e fundit është shënuar regres i madh në këtë proces.
Procesi i liberalizimit të vizave ishte konsideruar i bllokuar për shkak të mosarritjes së përmbushjes së dy kushteve të fundit, ratifikimit të Marrëveshjes për shënjimin e vijës kufitare me Malin e Zi, si dhe luftimit të krimit dhe korrupsionit.
Megjithatë, Besa Shahini njohëse e integrimeve evropiane, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën e konsideron më të komplikuar.
Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, Shahini thotë se ky proces ka ngecur në Bashkimin Evropian dhe jo në Kosovë.
“Procesi i liberalizimit të vizave, ne kemi një përshtypje që ka mbetur këtu dhe ngecja ka ndodhur në Kosovë, por ngecja nuk është në Kosovë. Teknikisht, për të zhbllokuar procesin e liberalizimit të vizave duhet të kalohet Marrëveshja për demarkimin e kufirit me Malin e Zi dhe duhet të luftohet korrupsioni, në një masë që është i pranueshëm për Komisionin Evropian”.
“Por, edhe nëse ndodhin këto të dyja, procesi zhbllokohet në Parlamentin Evropian, pastaj ajo kalon në Këshill të Ministrave, e që unë besoj që do të jetë i bllokuar prapë, pasi që vendet e Bashkimit Evropian nuk janë të interesuara që në këtë fazë, t’i japin mundësi Kosovës për liberalizimin e vizave, për shkak të rrezikut për migrim”, thekson Shahini.
Kosova dy vjet më parë u përball me valën më të rëndë të ikjes të qytetarëve të saj drejt shteteve të BE-së.
Shahini thekson se edhe në rastin më të mirë, që do të përfshinte procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën, procesi do të merr kohë.
“Pjesët teknike që kanë mbetur të kryhen në Kosovë, janë sfida që duhet të kalojnë, mirëpo nuk ta garantojnë se mund të merret liberalizimi i vizave. Edhe në rastin më të mirë nëse kalohen këto pika – ratifikimi i demarkacionit dhe luftimi i krimit e korrupsioni- kalon në Parlament edhe kalon edhe në Këshill të Ministrave, që unë nuk e besoj, pasi që nuk po shoh disponim në BE. I gjithë procesi do të merr 1 vit prej tani”, thekson Shahini.
Sidoqoftë, çështja e liberalizimit të vizave për Kosovën mbetet një nga temat dhe çështjet më të diskutuara viteve të fundit. Premtimet për liberalizimin e vizave për Kosovën nga liderët politikë dhe përfaqësues të institucioneve të vendit ishin bërë që nga viti 2010.
Komisioneri i BE-së për Negociata dhe Zgjerim, Johanes Hahn ka kërkuar së fundit që Kosova të formojë një Qeveri pro-evropiane dhe t’i qaset punës rreth plotësimit të kritereve të fundit, në mënyrë që Bashkimi Evropian më pastaj të marrë hapin tjetër, drejt heqjes së vizave.
Vdes në moshën 112-vjeçare njeriu më i vjetër në botë
Anisa ka një kërkesë për Drilonin, ky e refuzon
“Bixhoz me partnerët”, Konjufca për Osmanin: Mund të përdort...
Arsovska: Nuk do të kandidojë për një mandat të dytë për qyt...
Arrestohet personi që vodhi automjetin që u përdor në atenta...
Rusia pretendon se ka marrë kontrollin e fshatit Kopanky të...