Google ADS

Simiq thotë se kanë fituar mjaftueshëm për t’i mbrojtur serbët nga Prishtina

14:56 | 13 Qershor 2017
Arbresh.info

Lideri i Listës Serbe, Sllavko Simiq, ka thënë, se Lista Serbe do të ketë numër të mjaftueshëm të deputetëve në Kuvendin e Kosovës “që të pengojë ndryshimin e Kushtetutës, formimin e ushtrisë së Kosovës dhe ndryshimin e kufijve të shtetit tonë Serbisë”.

Lideri i Listës “Srpska”, Sllavko Simiq, është shprehur i ngazëlluar me rezultatin e partisë së tij në zgjedhjet e 11 qershorit.

Ai ka thënë se rezultatet tregojnë për fitoren absolute të Listës Serbe, përballë subjekteve tjera politike serbe dhe në këtë mënyrë ka arritur qëllimin kryesor politik që Lista Serbe t’i merr të gjitha ulëset e rezervuara për serbët në Kuvendin e Kosovës.

Ai tha se për Listën Serbe kanë votuar mbi 40 mijë serbë të Kosovës dhe ky rezultat sipas tij është rekordi i deritashëm i arritur i një subjekti politik në zgjedhje.

Lideri i “Srpska”, Sllavko Simiq, ka falënderuar të gjithë serbët e Kosovës, serbët e Anamoravës, të anës së Siarinës, serbët e Kosovës Qendrore, të veriut të Kosovës, serbët e zhvendosur, për besimin e dhënë. Në veçanti, Simiq ka falënderuar serbët e Leposaviqit, të cilët siç ka thënë Simiq, “kanë bërë luftë të drejtë dhe të madhe kundër komunarëve të dëgjueshëm të Prishtinës dhe kundër mbeturinave serbe”, raporton “Zeri.info”.

“Faleminderit presidentit tonë të Republikës së Serbisë, Aleksandër Vuçiq, të gjithë anëtarëve të Qeverisë së Serbisë, Marko Gjuriqit, për prezencën ekonomike e politike dhe mbështetjen të cilën ia kanë dhënë popullit serb në Kosovë e Metohi. Vazhdojmë me koordinimin institucional, vazhdojmë luftën tonë për mbetje të qëndrueshme në Kosovë, sepse me 11 qershor treguam gjithë fuqinë vitale të popullit serb në Kosovë, fuqi e cila bazohet në mençuri, në trimëri e unitet”, ka thënë mes tjerash kryetari i Listës “Srpska”, Sllavko Simiq.

Në një konferencë të organizuar me përfaqësues të medieve serbe në veri të Mitrovicës, të martën, Simiq ka siguruar se “Srpska” ka fituar vota të mjaftueshme dhe ulëse në Kuvendin e Kosovës për të penguar çdo tentative të Prishtinës “për të marrë vendime në dëm të serbëve të Kosovës dhe të shtetit të Serbisë”.

“Në Kuvendin e ardhshëm do të kemi deputetë të mjaftueshëm që të pengojmë ndryshimin Kushtetutës, ndryshimin e kufijve të shtetit tone dhe që ta pengojmë formimin e ushtrisë së Kosovës. Edhe përkundër kushteve të vështira, pasi që për subjektet tjera politike serbe ka punuar pothuajse komplet establishmenti shqiptar dhe pothuajse e gjithë bashkësia ndërkombëtare, me mjete të mëdha financiare, me resurse mediatike e politike, ne kemi rritur numrin e votave me dhjetëra mijë”, ka thënë Simiq, në konferencën e organizuar për mediet lokale serbe në veri të Mitrovicës.

Sipas tij, “Srpska” ka fituar besimin e 40.886 qytetarëve, Partia Demokratike Progresiste ka fituar 1.408 vota, Partia Liberale 3.113 vota, Partia e Serbëve të Kosovës e Aleksandër Jabllanoviqit 1.941 vota, raporton “Zeri.info”.

“Kjo do të thotë se Grupi Parlamentar i Listës Serbe, sipas këtyre numrave, bashkë edhe me përfaqësuesin e goranëve, do të ketë 10 deputetë, që është për një deputet më shumë se në përbërjen e kaluar të Kuvendit të Kosovës. Nuk dihet akoma nëse do të kemi 9 apo 10 deputetë për faktin se pritet të numërohen edhe votat me kusht që besoj se numri i votave për ne do të shtohet. Për shkak të sistemit specifik që favorizon listat e vogla, nuk përjashtohet mundësia që edhe ndonjë nga ato lista të fitojë mandat”, ka sqaruar Simiq, i cili është shprehur me mirënjohje për qytetarët që votuan për subjektin e tij politik.

“Me këtë fitore bindëse Lista Serbe është bërë përfaqësuese me të gjitha kompetencat e popullit serb në institucionet e Krahinës, ku do të luftojmë për besimin dhe pritjet e qytetarëve dhe të atdheut tone Serbisë, që ato t’i realizojmë”, ka thënë Simiq

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme