Ambasada e SHBA’së: Shpresojmë në bashkëpunim me këdo që formon Qeverinë

17:23 | 12 Qershor 2017
Arbresh.info

Ambasada e Shteteve të Bashkuara përgëzon popullin e Kosovës për zgjedhjet demokratike të mbajtura dje.

“Me interesim të lartë presim raportimet e misionit zyrtarë vëzhgues. Përderisa jemi të shqetësuar nga disa raportime për prezencën e listave të vjetra të votuesve, votimeve të dyfishta dhe parregullsive tjera sporadike, përgëzojmë Komisionin Qendror Zgjedhor, Komisionarët nëpër vendvotime, OSBE-në dhe të gjitha ekipet tjera monitoruese dhe vëzhguese për punën e tyre të jashtëzakonshme. Gjithashtu, zotohemi për mbështetjen tonë të vazhdueshme gjatë tërë kohës sa zgjat procesi i certifikimit të votave dhe të gjitha raportimet mbi parregullsi të jenë hetuar hollësisht dhe zgjidhur në përputhje me ligjet e Kosovës”, thuhet në një komunikatë nga ambasada e SHBA-ve.

Votuesit e Kosovës thuhet në komunikatë  e kanë thënë fjalën e tyre dhe tani procesi i formimit të qeverisë së re duhet filluar.

“Shpresojmë në bashkëpunim të ngushtë me këdo që formon Qeverinë e re. Shpresojmë që të gjithë zyrtarët e sapozgjedhur të Kosovës pavarësisht përkatësisë partiake do të përkushtohen për të ndërmarrë hapa për të mirën e gjithë qytetarëve të Kosovës. Kosova gëzon mbështetjen e Shteteve të Bashkuara në rrugëtimin e saj drejt integrimit të plotë Euro-Atlantik”, thuhet në komunikatë.

Të ngjashme