Google ADS

Po planifikoni të mbeteni shtatzënë? Shmangni këto lëngje

01:13 | 12 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Pijet dietike mund të ulin shanset e mbetjes shtatzënë në rastet e fertilizimit in Vitro, sugjeron një studim i ri. Gratë që përdorin ëmbëltues artificialë tek pijet e nxehta ndërkohë që po trajtohen me metodën e fertilizimit in-vitro, prodhojnë vezë dhe embrione më të dobëta, thonë hulumtuesit shkencor.

Edhe pse besohet gjerësisht se marrja e ëmbëltuesve artificialë është më e shëndetshme se konsumimi i sheqerit , rezulton që të dyja mënyrat janë të dëmshme dhe rrisin shanset që një embrion të ketë të paktën një deformim. Studimi u bazua mbi të dhënat e nxjerra nga vëzhgimi i disa grave që po i nënshtroheshin trajtimit të metodës së fertilizimit in Vitro, dhe u prezantua në Kongresin e Shoqërisë Amerikane për Shëndetin Riprodhues.

Në studim u përfshinë më shumë se 500 gra, të cilat u pyetën rreth mënyrës së ushqyerjes dhe nëse konsumonin pije dietike dhe kafe me ëmbëltues artificialë apo sheqer.

Për 2 vite, shkencëtarët vëzhguan 5548 qeliza vezësh të marra nga gratë që po i nënshtroheshin trajtimit in Vitro. Ata mbajtën shënim për çdo gjë të pazakontë që vinin re te veza.

Studiuesit vunë re se gratë që konsumonin pije dietike apo me sheqer kishin më shumë shanse të zhvillonin vezë me defekte. Si përfundim, autorët e studimit, me në krye Gabriela Halpern, pjesë e Grupit Mjekësor për Fertilitetin në Brazil, shkruan se: “Pjesa më e madhe e popullsisë beson se ëmbëltuesit artificialë janë më të shëndetshëm se sheqeri i zakonshëm, dhe nuk janë në dijeni të rreziqeve që fshihen pas tij. Pacientët duhet të informohen mbi efektet negative që ëmbëltuesit artificialë kanë në shëndetin riprodhues”.

Profesor Adam Balen, kryetar i Shoqërisë Britanike të Fertilitetit, tha se ky është një studim shumë interesant, që nxjerr në pah të vërtetën mbi efektet negative të përbërësve që premtojnë veç efekte pozitive në trupin e njeriut, siç janë ëmbëltuesit artificialë që gjenden në pijet me apo pa gaz, apo edhe te kafeja.

Vendi në të cilin zhvillohen vezët është shumë i ndjeshëm ndaj ndikimeve që vijnë nga jashtë, prandaj nuk duhen nënvlerësuar efektet e mundshme që mund të kenë në shëndetin riprodhues përbërësit që u shtohen ushqimeve.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme