Google ADS

Rama: S’mund të pranoj më shantazhet e partive të koalicionit

17:54 | 11 Qershor 2017
Trina Galanxhi

Kryeministri Rama e vazhdoi fushatën e tij elektorale edhe në komunikimin e përjavshëm në “Facebook”, ku i kërkoi votat edhe të djathtëve me premtimin se në 4 vitet e ardhshme do të bëhet 4 herë më shumë se në mandatin që po mbyllet.

“Portën e drejtësisë po e hapim dhe do t’i hapim në katër vitet e ardhshme. Ju kërkoj të djathtëve të ndryshojnë, që të mos nëpërkëmben më nëpër zyrat e shtetit. Na jepni besimin që në 4 vite të ju rikthejmë dinjitetin. Kemi bërë shumë në 44 muaj, por do të bëjmë më shumë në katër vitet e ardhshme. Shteti që ne duam duhet të ketë dy porta të hapura, portën e drejtësisë dhe portën e shërbimeve. Këto dy porta që i janë përplasur njerëzve në fytyre prej 20 e kusur vitesh. Do t’i hapim katër vitet e ardhshme duke pastruar pallatin e drejtësisë nga të korruptuarit. Nuk u kërkoj demokratëve të bëhen socialistë, apo të ndryshojnë bindjen, por thjesht më ndihmoni për të mos u nëpërkëmbur më në zyrat e shtetit, na jepni mandatin të shkallmojmë derën e patentës, hipotekës, licencave, në emrin se cilit prej jush. Ne nuk kemi luftë me asnjë parti, por jemi në luftë më sistemin e partive që e kanë kthyer shtetin në tepsi. Sa prej jush kanë paguar nën dorë për patentën, kolaudimin e makinës? Nëse doni t’i jepni fund këtij zullumi, iu ka ardhur në dorë mundësia ta bëni me dorën tuaj”, deklaroi Rama.

Kryeministri theksoi se partitë e vogla mbijetojnë mbi kurrizin e qytetarëve. “Ne nuk duam më shumë pushtet për vete, por vetëm si mjet për të arritur qëllimin e madh, ta bëjmë Shqipërinë shtet. Këto parti dinë të mbijetojnë vetëm duke u ushqyer mbi kurrizin tuaj. Na jepni mandatin ta bëjmë dhe ta fitojmë këtë betejë. Kam një bindje më të fortë se katër vite më parë se ky vend bëhet. Kemi shumë për të humbur nëse do t’i ndajmë votat si ushqim për gjelat e politikës shqiptare.  Të bëhemi bashkë për të vazhduar rrugën që kemi nisur”, tha Kryeministri.

Rama tha më tej se nuk ka asnjë motiv për të pranuar ende shantazhet e partive të koalicionit. “Nuk kam më asnjë motiv të rri në karrigen e kryeministrit si deri më sot, duke pranuar që administrata e shtetit të vazhdojë të rrijë peng i partive, duke pranuar që të marrë votat për një reformë për të bërë shtet të pranojmë shantazhet dhe listat e kërkesave të partive të koalicionit për t’i lëshuar drejtoritë në këmbim të votës dhe deri tek pastrueset nëpër institucione. Votoni pa ngurrim numrin 2 këtë herë, sepse është momenti për të parë larg dhe për të shkuar sa më larg”, tha Kryeministri.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme