Presidenti serb Vuciq, edhe gjatë takimit të kësaj jave me ministrat e ekonomisë së Ballkanit Perendimor dhe eurokomisionerin Hahn, promovoi fuqishëm idenë për një treg të përbashkët ballkanik, ku do të përfshiheshin vendet e ish Jugosllavisë dhe Shqipëria.
Ideja e thënë fillimisht kur Vuciq ishte kryeministër, nuk u prit me entuziazëm nga të gjitha vendet, por të enjten që lamë pas, e njejta u përshëndet nga eurokomisioneri Hahn që sqaroi se 20 milion njerëz është një treg shumë tërheqës për investime, që do të krijojë vlera shtesë për mallra dhe shërbime, më shumë vende pune dhe më shumë investime.
Ka tashmë një marrëveshje të shkruar mes vendeve të Ballkanit, marrëveshja CEFTA, e cila po përballet me probleme, duke pamundësuar në raste të caktuara funksionimin e vetë marrëveshjes. Kjo bën skeptikë ekspertët, se tregu i përbashkët i propozuar nga Presidenti serb, e I mbështetur nga eurokomisioneri Hahn, do të funksiononte si duhet.
“Krijimi I ndonjë asociacioni të shteteve të Ballkanit Perëndimor unë nuk do të thoja se është e duhur. Nuk kemi ne nevojë për asociacione të reja. Unë jam për atë që të rritet bashkëpunimi ekonomik dhe tregtar me vendet e Ballkanit, por sipas rregullave dhe principeve që vlejnë në Unionin Evropian. Nuk kemi nevojë për asociacione tjera, kemi nevojë për bashkëpunim në baza të barabarta. Çdo politikë tregtare e shteteve të balllkanit Perendimor, që nuk bazohet në këtë koncept të barazisë së plotë nuk është e mundur që një asociacion I tillë të funksionojë”, tha Sami Bislimi, profesor universitar.
Por që një ide e tillë të funksionojë, së pari shtetet që do të inkuadroheshin në këtë treg të ri ballkanik, do të duhej të siguronin stabilitet të brendshëm politik, e kjo duket e vështirë për momentin. Përfituesja më e madhe e një tregu të tillë, padyshim që do të ishte Serbia, si eksportuese më e madhe e vendeve që duhet të përbënin tregun e ri.
Por përfitimi ekonomik, nuk ka të bëjë me fuqinë ekonomike të një shteti të caktuar, por nga ambienti i përgjithshëm ekonomik. Nëse shfrytëzohet si duhet, një treg i tillë mund të ishte profitabil edhe për vendet me fuqi të ulët ekonomike.
Gjithsesi, nga ideja deri në realizim ka shumë punë dhe tregu i përbashkët i ballkanit perendimor, për momentin mund të shihet edhe si një sfidë për politikanët e rajonit. Koha do të tregojë nëse bëhet fjalë për marketing politik apo do të ndërrmeren edhe hapa konkretë nga të cilat do të përfitonte i gjithë Ballkani Perendimor.
zërfitimi afatgjatë i një ideje të tillë, ndoshta do të ishte pozicionimi më i mirë i Ballkanit perendimor në hartën ekonomike europiane e më gjerë, si një treg më i madh që ofron harxhime më të vogla për kompanitë dhe më pak procedura burokratike që janë në fakt, arsyeja kryesore për lulëzimin e korrupsionit në Ballkan.
Kosova me 5 grupmosha në arenën ndërkombëtare në basketboll
Anulohet aktiviteti për përurimin e Parkut të Ulpianës
Sulmi me granatë dore dëmton objektin e Komunës së Zveçanit ...
Izraeli thotë se libanezët e kanë të ndaluar të lëvizin në j...
Tërmet në Itali, me magnitudë 4.2
Kumbaro uron Ditën e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë: ...