KQZ e gatshme për zgjedhjet e nesërme

12:27 | 10 Qershor 2017
Arbresh.info

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tashmë ka përfunduar të gjitha përgatitjet për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen nesër. Këtë proces zgjedhor do ta vëzhgojnë rreth 30 mijë vëzhgues nga organizata vendore e ndërkombëtare, media vendore e ndërkombëtare dhe përfaqësues të trupave zgjedhore nga vendet e tjera.

Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një intervistë për KosovaPress, theksoi se edhe pse ka qenë një kohë e shkurtër për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme, KQZ ka arritur që me kohë t’i kryej të gjitha përgatitjet dhe të jetë gati për nesër.

Për ditën e nesërme në gjithë Kosovën do të hapen 889 qendra votimi me gjithsejtë 2490 vendvotime, derisa numri i votuesve është 1 milion e 872 mijë e 941 votues. Vendvotimet do të përgatiten gjatë ditës së sotme në mënyrë që nesër ato të jenë gati, derisa materiali sensitiv do të shpërndahet në orët e hershme të ditës së nesërme.

Një numër i madh i organizatave jo-qeveritare vendore e ndërkombëtare kanë shprehur interesim për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës. Elezi konfirmoi se tashmë KQZ ka akredituar rreth 30 mijë vëzhgues për këtë proces zgjedhor.

Rezultatet preliminare të këtyre zgjedhjeve, Elezi thotë se nuk do të vonohen, meqë është vetëm një fletëvotim dhe se numërimi do të jetë më i shpejt.

Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor do të përkujdesën e Policia dhe prokuroria e shtetit, institucione këto me të cilat KQZ-ja ka nënshkruar edhe memorandum bashkëpunimi. Elezi theksoi se bashkëpunimi me këto institucione është mirë dhe se besojnë se gjithçka do të shkoj mirë sa i përket mbarëvajtjes së procesit zgjedhor të ditës së nesërme.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar 26 subjekte politike për pjesëmarrje për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, 5 koalicione, 19 parti politike dhe 2 nisma qytetare.

Ndërsa, numri i përgjithshëm i kandidatëve të certifikuar është 971 kandidatë për deputetë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme